Policë jo vetëm kriminelë, por dhe të pa ditur. Shefi i Divjakës në paligjshmëri arreston qytetarët

Ligji për ndërtimet, kryesisht prek më shumë ato që jetojnë në fshatra pësoi ndryshime në qershor të këtij viti, ku ishte Kuvendi ai që miratoi lehtësimin e procedurave të lejeve për restaurimin e brendshëm dhe të jashtëm të shtëpive private.

Sipas ligjit të ri të ndryshuar, muret rrethuese, çatitë dhe avllitë mund të riparohen nga qytetarët, pa patur nevojë për aplikim dhe pritjen e lejes deri në fillimin e punimeve, ndërsa theksohet se përpara se personat e interesuar për këto lloje punimesh të vazhdojnë me punën, ato duhet që të marrin formalisht një njoftim në njësinë administrative ku bëjnë pjesë.

Megjithatë, ndërsa ndryshimet ligjore janë marrë nga organi legjislativ dhe botuar në fletoren zyrtare, oficerët e policisë që merren me procedimin penal të personave që kryejnë shkelje sa i përket sektorit të ndërtimeve, duket se nuk janë informuar mbi të rejat e fundit.

Një rast i paprecedentë është shënuar në Divjakë, ku është arrestuar pa të drejtë një qytetar nga Sektori i Krimeve me arsyetimin se kishte ndërtuar pa leje çatinë e shtëpisë.

Lajmin e ka bërë të ditur, vetë deputeti i PS-së, Erion Braçe i cili kritikon shefin e krimeve në Divjakë, duke e cilësuar atë si të paditur për përmbajtjen dhe ndryshimet ligjore.

Braçe shkruan se kjo gjë është alarmante dhe që kërkon vëmendjen e organeve përgjegjëse, pasi shkelje të tilla janë skandaloze dhe të patolerueshme për një përfaqësues të drejtësisë.

“Edhe pse ju bëj me dije se që për ndërtim çatije nuk duhet me leje, jo vetëm e shoqëruan, e mbajtën atu, por ky oficeri i krimeve, duhet të ketë qenë shef i krimeve, i paska thënë se “Po i çoj letrat e tua në Prokurori, merr avokat e ndiqe”.   

Çfarë avokati të marrë mor i paditur, çfarë avokati? A e kupton që je në shkelje skandaloze të ligjit, privim të lirisë së qytetarit e në shpërdorim skandaloz të detyrës?  

Ka ndryshuar ligji o shefi i policisë, nuk duhet më lejë për çatitë e avllitë! Ndryshuam ligjin e VKM-në pëkatëse që ju mos të luftoni me krimin e madh të çative në fshat”,- shkruan deputeti i PS-së, Erion Braçe në rrjetin social Facebook.

Kujtojmë se një vendim i ngjashëm u mor edhe për objektet që shfrytëzohen për bujqësi, ku parashikohet të rriten sipërfaqet e shfrytëzueshme të tokës, magazinimi i prodhimeve dhe rendimenti në sera, duke lehtësuar në këtë mënyrë jetesën e banorëve të zonave rurale, të cilët prej vitesh janë përballur me pengesa, madje edhe dënime, në rastet kur kanë tentuar të bëjnë rregullime pa leje.

Vlen të theksojmë se kapja në flagrancë e qytetarëve që kanë bërë riparime pa leje, u ka kushtuar atyre gjoba dhe dënime, si dhe ka hapur një debat të fortë në shoqëri për masat e ashpra që ishin sanksionuar me ligj.


Shtuar 18.08.2024 14:28