Gjergj Xhuvani do të kujtohet si një ndër artistët më të spikatur të skenës shqiptare.
Skenaristi dhe producenti i mirënjohur shqiptar u nda nga jeta më 14 gusht 2019, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.
Ashtu siç do ta ëndërronte çdo artist të vdiste në skenë, regjisori Xhuvani, humbi ndjenjat duke xhiruar filmin e ri ‘Liqeni im’, një bashkëproduksion italiano-shqiptar.
I diplomuar në Akademinë e Arteve në Tiranë në degën e artit dramatik Xhuvani punoi si asistent regjisor në shumë filma nga viti 1986 deri në vitin 1990. Në vitin 1991 ai realizoi filmin e tij të parë “Bardhë e Zi”.
Ndërsa pas viteve ‘90 filmat e suksesshëm si “Lindje, Perëndim, Lindje”, “I dashur Armik” dhe “Dashuria e Fundit” mbajnë autorësinë e tij.
Filmi, si “testament” i Xhuvanit
Drejtori i TIFF, Agron Domi e thotë qartë se filmi “Liqeni im”, që ngre siparin e kësaj ngjarjeje kulturore të kinemasë, ishte “testamenti” i Gjergj Xhuvanit. Xhuvani, si skenarist dhe regjisor i tij, siç pohon edhe Domi, ka mundur ta shikojë filmin të montuar. Lidhja e fortë që Xhuvani kishte me këtë film e bën Domin ta konsiderojë si “amanetin” e tij, që erdhi i përmbushur në këtë festival.