Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka reguar pas seancës së tretë në Kuvend për zgjedhjen e Presidentit, e cila po ashtu dështoi për shkak të mungesës së kandidatëve.
Balla tha se procesi po shkon drejt fundit, duke paralajmëruar se emri i kreut të ri të shtetit mund të mësohet brenda afatit të katërt.
Ai shton se janë identifikuar disa emra që plotësojnë kushtet për këtë post kaq të rëndësishëm.
“E para në raundin e 4 PS, do propozojnë një kandidat apo kandidate në varësi të një procesi që ne jemi duke e vijuar që prej datës 28 mars.
Një forcë politike serioze, bën dhe një proces paraprak përzgjedhës. Përgjatë këtij ne kemi identifikuar dhe vijojmë të identifikojmë kandidatura potenciale që përmbushin disa prej pritshmërive që kanë qytetarët. Ne duam që Presidenti apo presidentja në 5 vitet e ardhshme të jetë autoritet moral. Të mos jetë Presidenti PS por i gjithë shqiptarëve.
Kini pak durim e në ditët në vijim do jemi në komunikim dhe më të shpeshtë për gjithë zhvillimet. Ne brenda forcës tonë kemi rregulla që do i respektojmë, do bëjmë diskutim të gjerë e thelluar në kryesi, më pas në grupin parlamentar prej ku do merret dhe mbështetja si e kërkon Kushtetuta me të paktën 20 firma mbështetëse.
Në këtë rast PS ka 74 mandate dhe ajo që është me rëndësi është që ky proces po shkon drejt përfundimit”, u shpreh Balla./albeu.com