Nuredin Dumani si “pasha”, me internet në qeli, pezullohen dy policë të drejtorisë së Burgjeve

I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, autor i disa ngjarjeve të rëndë kriminale, duket se po e vuan dënimin në kushte komode, ku nuk i mungon as laptopi dhe interneti.

Për pasojë janë pezulluar nga puna dy efektivë të policisë së drejtorisë së burgjeve.

Ishte dëshmia e Alda Nikollit, njëra prej motrave Nikolli, të cilave iu vendos tritol në banesën e tyre në Elbasan pak ditë më parë, ajo që nxorri në dritë faktet.

Ata për ngjarjen akuzuan pikërisht të arrestuarin Nuredin Dumani, me të cilin Alda Nikolli fliste prej disa kohësh, falë aksesit që i dënuari kishte në internet.

Rrëfimi i Alda Nikollit 

Alda Nikolli ka treguar se ka pasur komunikime prej dy muajsh me të penduarin e drejtësisë, një marrëdhënie që sipas saj përfundoi me kërcënime.

E reja fakton se ka pasur komunikime të vazhdueshme në kamer me Nuredin Dumanin, nga qelia ku ai qëndron, në burgun 313. Alda tregon se e ka njohur nga partneri i motrës së saj Xhovanës, Amarildo Xhanejt, i cili ndodhet në burg.

Sipas saj, Nuredini i ka kontaktuar dy motrat më qëllim për t’i përdorur dhe se ajo nuk e dinte që kishte një të dashur, e cila është bërë shkak për kërcënimet e marra.

Në një intervistë për Top Channel ajo tregon se me të penduarin e drejtësisë kishte krijuar një marrëdhënie prej 2 muajsh, krisja e të cilës pasoi me kërcënime.

Rrefimi i Xhovana Nikollit

Xhovana Nikolli, e dashura e Amarildo Nikolli (Xhanej) i cili dyshohet si vrasës me pagesë, ka reaguar pasi i vendosën një sasi tritoli në banesën ku jetonte me qira në Elbasan dhe mbeti i plagosur komshiu i saj.

Në një postim në rrjetet sociale, ajo ka hedhur akuza se pas sulmit qëndron rivali i partnerit të saj, vrasësi me pagesë, Nuredin Dumani.

“S’je burrë, por k*rvë”, iu drejtua Giovanna Nikolli, Nuredin Dumanit i cili ndodhet në qeli.

Ajo e sfidon duke iu drejtuar që “nëse ke b*le, hajde vetë e hidh prap tritol”, duke shtuar se Nuredin Dumani, të cilin e quan ordiner, mori në qafë njerëz të pafajshëm.

“Burrni eshte t’merresh me femra! S’je burr po KURV ! Un qa them se terheq mrapsht deri ne frymen e fundit! Nuk jam ajo femer un qe derzohem kaq leht, O Nuredin Dumani Hajde me hidh prap tritol, hajde vet ne qofte se je burr me bole mos nis klysha naten .. Se more n’qaf njerz te gabuar mor ordiner ..”, shkruan ajo.


Shtuar 18.07.2024 16:51