Nga shitja e apartamenteve te fabrikat/ Zbardhet udhëzimi për zbritjen e çmimeve të referencës nga 1% çdo vit, por jo më shumë se 30%

Miratohet formula e re për taksimin e  pasurive të paluajtshme në rast shitjeje, dukë përfshirë zbritje 1% të vlerës për çdo vit përdorimi, por zbritja nuk do të jetë më shumë se 30% e çmimeve të referencës.

Në zbatim të ligjit të ri “Për tatimin mbi të ardhurat”, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe agjencia e Kadastrës Shtetërore publikuan në Fletoren zyrtare udhëzimin e përbashkët “Për tatimin mbi të ardhurat nga tjetërsimi i pasurive të paluajtshme”. Udhëzimi hyn në fuqi me fillimin e efekteve të ligjit nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar.

Udhëzimi përcakton se zbritja prej 1% në vit do të aplikohet për të gjitha llojet e pasurive të paluajtshme, si: apartamentet, dyqanet, parkim të mbuluar dhe bodrume, parkimi të hapur, pishinë e hapur, ambiente sportive të hapura, ndërtimet për veprimtari industriale, si: fabrika, magazina, depo, silos, magazina frigoriferike të produkteve ushqimore, si dhe ndërtimi, që përdoren për bujqësi dhe blegtori, apo veprimtari mbështetëse.

Për të gjitha këto ndërtesa çmimeve të referencës, do t’i zbritet 1% e vlerës për çdo vit të plotë shtesë përdorimi, duke filluar nga data e fitimit të titullit të pronësisë për herë të parë.

 

 

“Zbritja prej 1% do të aplikohet për të gjitha llojet e pasurive të paluajtshme të cituara në germat “a” deri në “dh” të kësaj pike. Kjo zbritje nuk duhet të jetë më e madhe se 30% e çmimit të referencës të përcaktuar në aneksin nr. 1 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 132, datë 7.3.2018, “Për metodologjinë për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme “ndërtesa”, e bazës së taksës për kategori specifike, natyrën dhe prioritetin e informacionit dhe të dhënave për përcaktimin e bazës së taksës, si dhe të kritereve dhe rregullave për vlerësimin alternativ të detyrimit të taksës”, citohet në udhëzim.

Udhëzimi përcakton se në rastet e shitjes së ndërtesave (përjashtuar apartamentet dhe ndërtimet e përfituara me legalizim) me koeficient amortizimi mbi 50%, vlera e shitjes së pasurisë së paluajtshme për efekt të tatimit do të përcaktohet nga persona të licencuar për vlerësimin e pasurive të paluajtshme, dhe do të merren parasysh nga ASHK-ja vetëm një herë (për një transaksion të realizuar). Në rastet kur vlera e ndërtesës e vlerësuar nga një ekspert vlerësues i licencuar është më e vogël se gjysma e vlerës e përcaktuar sipas çmimeve referuese, për efekt të vlerës në shitje të pasurisë, merret në konsideratë vlera e përcaktuar nga eksperti vlerësues i licencuar.

Në vijim përcaktohet çmimi referencës në varësi të formës së përdorimit dhe llojit të pasurisë së paluajtshme ndërtesa:

a) Banesat – çmimi i referencës së një banese përcaktohet bazuar në çmimet e referencës të parashikuara në aneksin nr. 1 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 132, datë 7.3.2018, “Për metodologjinë për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme “ndërtesa”, e bazës së taksës për kategori specifike, natyrën dhe prioritetin e informacionit dhe të dhënave për përcaktimin e bazës së taksës, si dhe të kritereve dhe rregullave për vlerësimin alternativ të detyrimit të taksës dhe vjetërsinë e ndërtesës. Për apartamentet e banimit në ndërtesat e privatizuara me ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992, “Për privatizimin e banesave shtetërore”, i ndryshuar, çmimi për metër katror është 50% e çmimit sipas zonave të tabelës, vetëm në rastin e shitjes së parë. Në këtë rast, zbritja prej 1% e vlerës për çdo vit përdorimi nuk aplikohet.

Shembull nr. 1 – Vlera në shitje e banesës me kontratë shitje

Individi AA i shet individit BB një apartament banimi, i cili ndodhet në qytetin e Tiranës, në njësinë administrative nr. 2, zona 2/4. Ku apartament ka një sipërfaqe prej 75 m2 , dhe viti i fitimit të titullit të pronësisë së kësaj prone për herë të parë është viti 2004. Apartamenti shitet me kontratën e shitjes së datës 20 gusht 2024 dhe vlera totale e shitjes së apartamentit të përcaktuar në kontratë është 7,500,000 lekë. Vlera në shitje Për të përcaktuar vlerën në shitje, gjykojmë mbi llojin e pasurisë që tjetërsohet dhe mbi procesin e tjetërsimit. Duke qenë se kemi të bëjmë me llojin e pronës banesë dhe tjetërsimi i pasurisë ndodh me një kontratë shitje, atëherë për përcaktimin e vlerës në shitje do të krahasojmë çmimin e referencës së apartamentit me vlerën në kontratën e shitjes: * Vlera e apartamentit sipas çmimeve të referencës = 75 m2 * (120,300 lekë/m2 – 1% * 19 vite nga fitimi i titullit të pronësisë për herë të parë * 120,300 lekë/m2 ) = 7,308,225 lekë Duke qenë se vlera sipas kontratës së shitjes është më e madhe se ajo sipas çmimeve të referencës, si vlerë në shitje për llogaritjen e tatimit merret vlera më e madhe pra 7,500,000 lekë (vlera në shitje).

b)Ndërtesë për veprimtari ekonomike – çmimi referencë për m2 sipërfaqe ndërtimi për veprimtari ekonomike tregtimi shërbimi është 1.5 (një pikë pesë) here më i lartë se çmimi i sipërfaqeve të banimit sipas qyteteve. Në këtë kategori, përfshihen edhe njësitë tregtare, ku njëkohësisht realizohen edhe procese të përziera prodhimi, tregtimi apo shërbimi me pakicë. Në zonat që përfshihen në Bashkinë Tiranë, ky koeficient është 2 (dy) herë më i lartë.

Shembull nr. 2 – Vlera në shitje e ndërtesës për veprimtari ekonomike me kontratë shitje

Individi AA, i shet individit BB një dyqan (njësi tregtare), i cili ndodhet në qytetin e Librazhdit. Ky dyqan ka një sipërfaqe prej 60 m2 dhe shitet me kontratën e shitjes në datë 15.02.2024, ku përcaktohet dhe vlera totale e shitjes 3,000,000 lekë. Viti i fitimit të titullit të pronësisë së kësaj prone për herë të parë është viti 2015. Vlera në shitje Për të përcaktuar vlerën në shitje, gjykojmë mbi llojin e pasurisë që tjetërsohet dhe mbi procesin e tjetërsimit. Duke qenë se kemi të bëjmë me llojin e pronës ndërtesë për veprimtari ekonomike dhe tjetërsimi i pasurisë ndodh me një kontratë shitje, atëherë për përcaktimin e vlerës në shitje do të krahasojmë çmimin e referencës së dyqanit me vlerën në kontratën e shitjes: * Vlera e dyqanit (njësisë së tregtimit) sipas çmimeve të referencës = 60 m2 x (44,000 lekë/ m2– 1%* 8 vite nga fitimi i titullit të pronësisë për herë të parë * 44,000 lekë/ m2 ) x 1.5 = 3,643,200 lekë. Duke qenë se vlera sipas çmimeve të referencës është me e madhe se ajo sipas kontratës së shitjes, si vlerë në shitje për llogaritjen e tatimit merret vlera më e madhe pra 3,643,200 lekë (vlera në shitje)

c) Ndërtimi për parkim të mbuluar dhe bodrume – çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi për parkim të mbuluar dhe bodrume është 70 (shtatëdhjetë) për qind e çmimit të sipërfaqeve të apartamenteve të banimit sipas qyteteve.