Në fshatin Lumth të Lushnjës, një zjarr i ndezur nga pakujdesia përfundoi me arrestimin e një personi, me dëme të konsiderueshme dhe me plagosjen e një qytetari.
Policia bëri me dije se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë vunë në pranga në flagrancë shtetasin I. K., 57 vjeç, banues në këtë fshat. Sipas dyshimeve, ai ka ndezur dje zjarr në pronën e tij për të djegur mbeturinat, por flakët janë përhapur me shpejtësi dhe kanë dalë jashtë kontrollit.
Të lidhura
None found
Flakët kanë kaluar edhe në tokën e fqinjit të tij, shtetasit A. A., duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Janë djegur plotësisht një zetor, një rimorkio dhe baza ushqimore që ai kishte mbledhur për blegtorinë.
Gjatë përpjekjeve për të shpëtuar pronën dhe për të fikur zjarrin, vetë pronari i tokës, A. A., ka marrë djegie në trup. Ai u dërgua me urgjencë në Spitalin e Lushnjës, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Dosja procedurale i është referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
