Gjykata Kushtetuese ka dalë me një reagim ndaj raportit të Avokaturës së Shtetit mbi zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke mos u pajtuar me pretendimet se ajo nuk ka marrë parasysh rekomandimet që kanë ardhur pas vendimeve të Strasburgut.
Sipas institucionit, raporti jep një tablo të pjesshme për mënyrën se si janë ekzekutuar vendimet e GJEDNJ-së dhe lë jashtë ndryshimet që janë bërë në praktikën e saj gjatë viteve të fundit.
Të lidhura
None found
Gjykata thekson se ajo nuk udhëhiqet nga rekomandimet e institucioneve të tjera, përfshirë Avokaturën e Shtetit, por vepron drejtpërdrejt mbi bazën e Kushtetutës, Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut.
Ajo shpjegon se praktika për shqyrtimin e ankimeve kushtetuese individuale është rishikuar menjëherë pas vendimit të GJEDNJ-së në çështjen “Supergrav kundër Shqipërisë”, të 9 majit 2023.
Sipas sqarimit të dhënë, kur Gjykata e Lartë nuk provon momentin e njoftimit të vendimit për ankuesin, barra e provës nuk i kalon qytetarit dhe ankimi trajtohet si i paraqitur brenda afatit ligjor.
“Sa herë paraqitet një ankim kushtetues individual, kërkohet informacion zyrtar nga Gjykata e Lartë për mënyrën e komunikimit të vendimit objekt ankimi dhe, nëse kjo e fundit nuk paraqet prova në këtë drejtim, barra e provës nuk i kalon individit, ndërsa ankimi konsiderohet i paraqitur brenda afatit”, thuhet në reagim.
Në fund, Gjykata Kushtetuese i kërkon Avokaturës së Shtetit që raportet e saj të jenë të plota, të sakta dhe të përditësuara, duke nënvizuar se pasqyrimi i drejtë i zbatimit të vendimeve të GJEDNJ-së ka peshë për besimin publik dhe për funksionimin e institucioneve. Ajo përsërit se mbetet e angazhuar për respektimin e Kushtetutës, të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut.
Reagimi i plote:
𝐑𝐞𝐚𝐠𝐢𝐦 𝐢 𝐆𝐣𝐲𝐤𝐚𝐭𝐞̈𝐬 𝐊𝐮𝐬𝐡𝐭𝐞𝐭𝐮𝐞𝐬𝐞 𝐦𝐛𝐢 𝐠𝐣𝐞𝐭𝐣𝐞𝐭 𝐞 𝐑𝐚𝐩𝐨𝐫𝐭𝐢𝐭 𝐭𝐞̈ 𝐀𝐯𝐨𝐤𝐚𝐭𝐮𝐫𝐞̈𝐬 𝐬𝐞̈ 𝐒𝐡𝐭𝐞𝐭𝐢𝐭 𝐭𝐞̈ 𝐝𝐚𝐭𝐞̈𝐬 𝟐𝟑.𝟎𝟔.𝟐𝟎𝟐𝟔
Gjykata Kushtetuese (Gjykata) është njohur me gjetjet e Raportit të Avokaturës së Shtetit të datës 23.06.2026 “Për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) për periudhën janar-dhjetor 2025”, i cili i është dërguar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Ky raport, i cili pasqyron punën e Avokaturës së Shtetit për ekzekutimin e vendimeve të GJEDNJ-së ndaj shtetit shqiptar, përfshirë edhe rastet ku janë konstatuar shkelje të të drejtave të mbrojtura nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) në procedurat e zhvilluara nga Gjykata, përmban gjithashtu vlerësime mbi praktikën e saj pas këtyre vendimeve. Sipas Avokaturës së Shtetit, megjithëse janë dhënë rekomandime, “nga Gjykata nuk kemi pasur një qëndrim në lidhje me këto rekomandime, ndaj dhe këtë vit GJEDNJ-ja ka vijuar me konstatimin e shkeljeve për sa i përket këtij aspekti”, duke iu referuar të drejtës së aksesit në gjykimin kushtetues dhe mënyrës së interpretimit të afatit ligjor për paraqitjen e ankimit kushtetues individual.
Gjykata kujton se edhe më herët u ka bërë thirrje aktorëve dhe personave që marrin pjesë në debatin publik për institucionin dhe gjyqtarët e saj të tregojnë kujdes dhe përmbajtje. Edhe pse nuk ka dashur të hyjë në polemika, fakti që një institucion publik ka përfshirë elemente të pasakta në reagimin e tij dhe i ka përdorur ato publikisht për të vënë në dyshim integritetin dhe autoritetin e saj, e bën të domosdoshëm këtë sqarim për informimin e drejtë të publikut.
Në radhë të parë, Gjykata ndalet te mënyra e raportimit të Avokaturës së Shtetit. Në respekt të parimit të ndarjes së pushteteve, dhe megjithëse është e gatshme për bashkëpunim institucional, ajo nuk vihet në lëvizje mbi bazën e rekomandimeve të asnjë institucioni publik, përfshirë Avokaturën e Shtetit, dhe as nuk vihet në dijeni për vendimet e GJEDNJ-së apo i zbaton ato për shkak të komunikimeve të këtij institucioni. Ashtu si për çdo organ tjetër publik, edhe për Gjykatën detyrimi për zbatimin e vendimeve të GJEDNJ-së dhe të jurisprudencës së saj rrjedh drejtpërdrejt nga nenet 5, 17 dhe 122 të Kushtetutës.
Sa i përket aksesit në gjykimin kushtetues, Gjykata sqaron se raporti i Avokaturës së Shtetit i referohet vendimeve të GJEDNJ-së të vitit 2025 në çështjet Ibrahimi dhe të tjerë kundër Shqipërisë (vendimi i Gjykatës, datë 16 qershor 2017), Fortuzi kundër Shqipërisë (vendimi i Gjykatës, datë 7 dhjetor 2017) dhe Ilia kundër Shqipërisë (vendimi i Gjykatës, datë 14 janar 2020). Këto çështje janë trajtuar pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore të vitit 2016, të cilat e ndryshuan afatin për paraqitjen e ankimit kushtetues individual nga dy vjet në katër muaj dhe sollën nevojën për përcaktimin e momentit nga i cili nis ky afat.
Pasi kjo mënyrë interpretimi u konsiderua nga GJEDNJ-ja si e papajtueshme me KEDNJ-në dhe menjëherë pas vendimit në çështjen Supergrav kundër Shqipërisë (9 maj 2023), Gjykata e ndryshoi praktikën e saj, duke i interpretuar dhe zbatuar dispozitat përkatëse të ligjit organik (ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar) në harmoni me standardet e vendosura nga GJEDNJ-ja. Për këtë arsye, sa herë që depozitohet një ankim kushtetues individual, kërkohet informacion zyrtar nga Gjykata e Lartë për mënyrën e komunikimit të vendimit objekt ankimi dhe, nëse ajo nuk paraqet prova në këtë drejtim, barra e provës nuk i kalon individit, ndërsa ankimi konsiderohet i paraqitur brenda afatit.
Njësoj, në përputhje me detyrimin për të zbatuar vendimet e GJEDNJ-së dhe me rregullat procedurale të ligjit organik, sa herë që është konstatuar shkelje në procedurat e saj dhe palët kanë kërkuar rihapjen e procesit, Gjykata e ka rihapur atë pa i rikthyer në diskutim çështjet që GJEDNJ-ja i kishte vlerësuar tashmë.
Sa i përket standardit të arsyetimit të vendimeve, raporti i Avokaturës së Shtetit nuk vë në dukje se çështja Frroku kundër Shqipërisë (vendimi i Gjykatës, datë 24 prill 2018) është shqyrtuar në një periudhë kur Gjykata funksiononte pa përbërjen e plotë. Po ashtu, ai nuk merr parasysh se, sipas nenit 73, pika 4, të ligjit organik, në mungesë të shumicës prej pesë gjyqtarësh kërkesa konsiderohet e rrëzuar.
Në këtë aspekt, Gjykata nënvizon se praktika e saj është ndryshuar që prej vitit 2021. Në çdo rast kur nuk sigurohet shumica e nevojshme për vendimmarrje, gjë që shpesh lidhet edhe me përbërjen e saj aktuale me vetëm tetë gjyqtarë, vendimet shoqërohen me arsyetimin përkatës, duke pasqyruar në mënyrë të hollësishme qëndrimet e ndryshme të gjyqtarëve dhe duke garantuar standardin e arsyetimit, në përputhje me praktikën e GJEDNJ-së.
Megjithë rolin e rëndësishëm që Avokatura e Shtetit ka në raportimin për ekzekutimin e vendimeve të GJEDNJ-së nga shteti shqiptar, Gjykata thekson se është e domosdoshme që raportimi të jetë i plotë, i paanshëm dhe i saktë, si dhe të shmangen përfundimet që prodhojnë perceptime të gabuara jo vetëm për situatën reale të zbatimit të këtyre vendimeve, por edhe për veprimtarinë e institucioneve shqiptare. Avokatura e Shtetit është institucioni i ngarkuar me ligj për përfaqësimin cilësor, transparent dhe profesional të shtetit shqiptar në procedurat pranë GJEDNJ-së dhe, për ta përmbushur këtë funksion, duhet të disponojë informacion të plotë, të saktë dhe të përditësuar.
Për më tepër, në frymën e parimit të bashkëpunimit luajal, i cili mbështetet në respektin e ndërsjellë të kompetencave të çdo institucioni dhe nënkupton ndërtimin e një marrëdhënieje bashkëpunimi mes tyre, si dhe duke pasur parasysh se përgjegjësia për ekzekutimin e vendimeve të GJEDNJ-së nuk i takon vetëm një institucioni, Gjykata ka ofruar ndihmën e nevojshme sa herë që Departamenti për Ekzekutimin e Vendimeve i GJEDNJ-së ka kërkuar informacion përmes Avokaturës së Shtetit, dhe ka ndërtuar gjithashtu ura bashkëpunimi me Zyrën e Këshillit të Evropës në Tiranë.
Në mbyllje, Gjykata rithekson angazhimin e saj për zbatimin e Kushtetutës, të KEDNJ-së dhe të jurisprudencës së GJEDNJ-së, duke siguruar pasqyrimin e standardeve të saj në praktikën kushtetuese dhe mbrojtjen efektive të të drejtave dhe lirive themelore.
