Mbërritën 38 400 doza në Shqipëri, por sa e sigurt është vaksina “AstraZeneca”

Ditën e sotme në Shqipëri nis vaksinimi pas ardhjes së 38 000 doza të AstraZeneca. Burimet bëjnë më dije se do të nisë vaksinimi në masë të mësuesve dhe pedagogëve.

“Nesër (sot) ne do të nisim vaksinimin e mësuesve dhe pedagogëve. Do ta shtrijmë me shpejtësi në të gjithën territorin e vendit duke i kthyer shkollat në pika vaksinimi në një pjesë të konsiderueshme. Ndërkohë që, jemi gati së bashku me Kosovën për t’i dhënë mundësi mjekëve dhe infermierëve të spitaleve COVID që të vijnë dhe të vaksinohen në Kukës. Do të lidhemi me strukturat përkatëse atje për ta bërë këtë të mundur”, tha Rama.

DYSHIMET

Por sa e sigurt është vaksina e Oksfordit, apo “AstraZeneca”? Prej disa ditësh në vendet e Bashkimit Europian mediat shkruajnë mbi efektet e padëshiruara që kjo vaksinë ka shkaktuar te pacientët që janë vaksinuar.

Pas masës së ndërmarrë më herët për të mos e aplikuar në moshat mbi 65 vjeç, shumë vende të Bashkimit Europian kanë bllokuar procesin e vaksinimit, duke iu lënë kohën e mjaftueshme autoriteteve që të hetojnë, për të hequr çdo dyshim mbi pasojat apo efektet e padëshiruara që ajo mund të shkaktojë.

Në një komunikim për mediat, shefja e departamentit të Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, tha një ditë më parë se situata do të jetë nën monitorim. Sipas saj, nga 5 milionë, europianë që janë vaksinuar vetëm 20 kanë shfaqur probleme.

Pra, niveli i riskut është minimal.

“Ne duhet të jemi të hapur ndaj ‘AstraZenca’, se mendohet se vaksina është e sigurt dhe nuk shkakton këto fenomene, por natyrisht do të monitorohet siç monitorohen për sigurinë të gjitha vaksinat që ne përdorim. Janë 5 milionë vaksina që janë aplikuar në vendet e BE-së dhe kemi vetëm 20 raste me këtë lloj patologjie që kanë sjellë bllokimin në disa shtete, e që po studiohet”.

Për të hequr çdo dyshim mbi ata të cilët kanë rezerva mbi këtë vaksinë, doktoresha tha se sasia e mbërritur në vendin tonë është e ndryshme nga lotet e dërguara në vendet që kanë marrë masën e bllokimit.

“Loti që ne na vjen është totalisht i ndryshëm nga lotet që janë vënë re në Austri, Holandë apo Itali, nuk ka lidhje me këto lote”.

‘AstraZeneca’ do të aplikohet te të gjitha grupmoshat. Pasi të gjitha komitetet e vendeve që menduan se kjo vaksinë duhet të përdoret nën 65 vjeç e kanë kthyer këtë vendim, qoftë në Itali, Gjermani apo Francë. Kjo vaksinë mund të përdoret në të gjitha moshat”, shtoi më tej doktoresha.