Mbërrijnë 38 mijë doza vaksinash, Rama: Do të vaksinohen arsimtarët!

Kanë mbërritur në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit dozat e radhës të vaksinave. Qeveria tha se kanë mbërritur 38 400 dozat e para të vaksinave nga kompania Astrazeneca.

Kryeministri Edi Rama thotë se priten doza të tjera vaksinash nga dy kompani prodhuese.

“Nesër do të nisim menjëherë vaksinimin e mësuesve dhe pedagogëve. Do ta shtrimë në të gjithë territorin e vendit duke i kthyer shkollat në qendra vaksinimi. Ndërkohë, presim një sasi edhe më të konsiderueshme. Presim edhe rreth 60 mijë doza me Astrazeneca dhe 30 mijë nga kompania Pfizer”, theksoi Rama.

Ai shtoi se mjekët e spitaleve Covid të Kosovës do të mund të vaksinohen në Kukës.

“Që nesër do të organizohemi së bashku me Kosovën  për t’u dhenë mundësi mjekëve dhe infermierëve të spitalit Covid që të vijnë të vaksinohen në Kukës”, shtoi Rama.


Shtuar 12.03.2021 20:10