Kandidimi i Bashës për kreun e PD, Bardhi: Zgjedhjet e 29 korrikut s’mund të mbahen!

Kreu i grupit Parlamentar i PD Gazment Bardhi ka komentuar rikthimin e Lulzim Bashës dhe kandidaturën për zgjedhjet e 29 korriku.

I ftuar sot në “Kjo Javë” me Nisida Tufën në News24, ai tha se Për aq kohë sa s’ka një vendim, nuk mund të ketë zgjedhje më 29 korrik

“Nuk ka mbaruar gara dhe nuk dua të paragjykoj. Për aq kohë sa s’ka një vendim, nuk mund të ketë zgjedhje më 29 korrik. Unë mendoj dhe vlerësoj se çdo faktor dhe autorë brenda PD-së duhet të mendojë për më të mirën e partisë dhe shuarjen e konfliktit. Nëse nuk e bëjmë do dobësohet PD dhe blloku opozitar”, tha ai.

Ndërkohë sa i takon zgjedhjeve të 2025, ai tha se shqetësimi është që askush nuk e gjen kurajën dhe të diskutojë se çfarë do ndodhë.

“Shqetësimi është që askush nuk e gjen kurajën dhe të diskutojë se çfarë do ndodhë. Ajo që kritikova për përjashtimet, kush i ka bërë, ka bërë gabim. Çdolloj përjashtimi dhe ndasie është e dëmshme. Sot nuk kemi luksin për të humbur as edhe një anëtar. Nga regjimi i Ramës kemi manipulimin e opinionit publik përmes propagandës dhe zgjedhjet e lira. Jam kundër çdo ndasie përjashtimi pasi duhet të kuptojmë se nëse nuk ulemi për të folur, zgjedhjet në 2025 do ketë një rezultat të paraprirë. në fushatën tjetër s’do ketë nevojë as t’i bjerë dajres”, tha ai.

Por a ka gjasa për ta gjetur zgjedhjen në një rrugë gjyqësore?

“Shqetësimi është që procesi i zgjedhjes së lidershipit të mos e fusë PD-në në një ngërç të ri. Druaj dhe kam frikë se do e fusë PD-në në një ngërç legjitimiteti që do vejë në pikëpyetje çuarjen para të partisë”, deklaroi Bardhi.

Ndërkohë sa i takon kandidaturës së dytë për kryetar të PD, atë të Gjergj Hanit, ai thotë: Që në momentin që thoni se rezultati është i njohur, nuk është proces i drejtë transparentë por farsë. Gjykoja që pas 9 shtatorit duhet të ofronim një model të ri të organizmit dhe proceseve brenda PD-së.

Si do të ishte PD me në krye Bashën?

“Do të ishte siç ka qenë, por e ndarë në dy pjesë në mënyrë përfundimtare. Me një konflikt të mbajtur të ndezur që do dobësonte çdo copëz të opozitës dhe kjo do ishte e dëmshme. Unë kam bashkëpunuar me Bashën, por në politikë kam një parim që bëj gjërat që besoj. Nëse nuk e besoj, nuk e bëj dhe as nuk diktohem për ta bërë”, pohoi Bardhi.


Shtuar 24.06.2023 18:30