Euro zbret nën 100 lekë! BSH nxjerr shifrat, çfarë do të thotë kjo për ekonominë

Euro ka shënuar sot nivelin më të ulët historik në raport me lekun. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, një euro është këmbyer sot për herë të parë me më pak se 100 lekë.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 99.95 lekë, duke prekur një minimum të ri historik.

Qysh prej muajit maj, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në kursin e këmbimit valutor për të mos lejuar rënien e monedhës europiane poshtë vlerës së 100 lekëve.

Megjithatë, pavarësisht blerjeve direkte të Bankës së Shqipërisë dhe kontakteve të saj të shpeshta me bankat tregtare për të mos lejuar një zhvlerësim të euros përtej këtij caku, edhe barriera e 100 lekëve është thyer ditën e sotme.

Sezoni veror shoqërohet me presione të shtuara për zhvlerësimin e euros, për shkak të pikut të sezonit turistik. Banka e Shqipërisë u përpoq t’i paraprinte qysh në fillim të sezonit këtij efekti, duke përcjellë edhe një mesazh për aktorët e tregut. Banka qendrore kishte arritur me sukses ta mbajë kursin sipër nivelit të synuar, deri ditën e sotme.

Një euro e dobët përballë lekut ul koston e mallrave të importuar dhe duket se ndikon pozitivisht në ekonominë shqiptare duke qenë se ne jemi kryesisht të varur nga importi.

Ndërkohë, ndikimi negative lidhet me shtrenjtimin e eksporteve duke i bërë mallrat shqiptarë më të shtrenjtë në Europë dhe më gjerë duke ndikuar kështu te prodhuesit vendas.

Një euro e dobët përballë lekut ndikon negativisht edhe tek turistët dhe emigrantët që vizitojnë Shqipërinë gjatë kësaj periudhe.

Ky kurs këmbimi favorizon gjithashtu edhe qeverinë sa i përket kostos së shërbimit të Borxhit Publik në monedhë të huaj duke ndikuar në uljen e tij, ndërsa ndikon negativisht familjet shqiptare që mbahen me dërgesat e emigrantëve.

Megjithëse rënia e euros poshtë kufirit të 100 lekëve ka një domethënie simbolike 100 lekëshi duket të ketë qenë edhe kufiri psikologjik i kursit të këmbimit mes euros dhe lekut.

Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë gjatë ditëve në vijim.


Shtuar 12.08.2024 14:10

Tags: , , ,