Një pjesë e madhe e qytetarëve në moshë pensioni, sa 27% e kësaj popullsie, po shtyhet pa shmangie drejt pragut të varfërisë ekstreme, ndërsa mbetet jashtë përfitimeve që sjell rritja ekonomike. Shifrat më të fundit zyrtare tregojnë se pensioni mesatar për ata që dolën në pension në vitin 2025 ishte 16 mijë lekë, me një ulje vjetore prej 3%.
Ndërkohë, 55% e pensionistëve në vend marrin pension të pjesshëm, që mesatarisht nuk e kalon 13,500 lekë në muaj. Kjo situatë bie ndesh me faktin se Shqipëria është klasifikuar si vend me të ardhura mesatare të larta, ndërsa sipas Bankës Botërore kufiri i varfërisë kërkon të paktën 249 dollarë në muaj. Skema publike e pensioneve po përkeqësohet nga prishja e raportit mes kontribuuesve dhe përfituesve, teksa barra e mbijetesës së të moshuarve po zhvendoset te fëmijët dhe familjet e tyre, duke krijuar një efekt zinxhir. Sondazhet tregojnë se mbi 87% e të moshuarve nuk i mbulojnë dot nevojat me pensionin që marrin.
Të lidhura
None found
Pas rimëkëmbjes ekonomike të Shqipërisë pas pandemisë, kontrasti më i madh që bie në sy është ai mes rritjes së ekonomisë dhe varfërimit të moshës së tretë.
Edhe pse nga viti 2021 deri në vitin 2025 ekonomia e vendit u zgjerua me mbi 24%, kjo rritje nuk u reflektua në asnjë moment në të ardhurat e pensionistëve dhe të personave nën mbrojtje sociale.
Përkundrazi, të ardhurat reale të tyre janë ulur. Çmimet më të larta të jetesës dhe inflacioni i lartë kanë zhvlerësuar plotësisht fuqinë blerëse, duke e çuar 27% të popullsisë në moshë pensioni drejt kufirit të varfërisë ekstreme.
Të dhënat zyrtare të fundit e tregojnë qartë thellësinë e kësaj krize sociale. Pensioni mesatar për brezin e ri të pensionistëve, vitin e kaluar, zbriti në vetëm 16 mijë lekë, ose 3% më pak se për ata që dolën në pension në vitin 2024.
Të ardhurat e kësaj kategorie jo vetëm që nuk po e përballojnë më rritjen e çmimeve, por po bien edhe në vlerë neto. Në vitin e kaluar, rreth 55% e 641,085 pensionistëve në vend ishin me pension të pjesshëm, ndërsa shuma mesatare e kësaj page ishte vetëm 13,500 lekë.
Kjo tablo nuk përputhet me statusin ndërkombëtar të vendit. Shqipëria, e renditur si vend me të ardhura mesatare të larta, ka një kufi varfërie të përcaktuar nga Banka Botërore prej 8.3 USD shpenzime ditore për frymë, çka do të thotë se minimumi jetik i llogaritur për vendin duhet të jetë të paktën 249 dollarë në muaj.
Rrënjët e kësaj gjendjeje shkojnë deri në vitin 2014, kur u ndërmor reforma e fundit e pensioneve. Përmes kushteve për vitet e punës, ajo e bëri të vështirë sigurimin e një pensioni të plotë, ndërsa edhe sot qeveria po vonohet në korrigjimin e këtyre mangësive.
Ndryshimet e shpeshta dhe të pandërprera në strukturën e ministrive e lanë në hije një reformë të re të nisur posaçërisht për pensionet, ndërsa numri i kësaj shtrese po rritet me ritme alarmante.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, 30 mijë pensionistë të rinj iu shtuan skemës së sigurimeve shoqërore, shifër pothuajse dy herë më e lartë se mesatarja e dhjetëvjeçarit të fundit.
Ky shtim e ka çuar numrin e pensioneve të pleqërisë në mbi 641 mijë, që përbën 27% të gjithë popullsisë së vendit. Por ndërsa suksesi i një qeverisjeje matet me mirëqenien që ajo arrin të krijojë për shtresat më të dobëta, në Shqipëri po ndodh e kundërta, pasi çdo vit pensionet e reja të pleqërisë po rezultojnë më të ulëta.
Pensionistët shqiptarë jo vetëm që kanë mbetur jashtë përfitimeve të rritjes ekonomike, por po përballen edhe me faturën e kostove më të larta që erdhën si pasojë e rritjes së pagave dhe të ardhurave të tjera të përfituara nga pjesa tjetër e shoqërisë, qoftë në mënyrë të ligjshme apo të paligjshme.
Numri i pensionistëve po rritet më shpejt se ai i kontribuuesve
Skema shqiptare e pensioneve po përballet me një rritje më të shpejtë të përfituesve sesa të kontribuuesve. Të dhënat e fundit tregojnë qartë se trendi historik është thyer.
Numri i pensionistëve të pleqërisë është rritur ndjeshëm, duke arritur në 641,085 përfitues në vitin 2025, nga rreth 557 mijë që ishin në vitin 2021.
Në pesë vitet e fundit, sistemi ka shtuar mbi 84,000 pensionistë, ndërsa vetëm gjatë vitit të kaluar numri i atyre që dolën në pension arriti në 33,518, gati dy herë më shumë se një vit më parë.
Ky zgjerim nuk do të ishte problem nëse skema publike do të kishte një rritje në të njëjtin ritëm edhe të kontribuuesve. Modeli shqiptar funksionon mbi solidaritetin ndërbrezor, ku kontributet e drejtpërdrejta të forcës aktuale të punës financojnë në kohë reale pensionet e brezit të tretë.
Ky mekanizëm mbetet i qëndrueshëm vetëm kur raporti mes atyre që paguajnë dhe atyre që përfitojnë është i favorshëm, por pikërisht ky raport po përkeqësohet çdo vit. Ndërsa pensionistët u shtuan me 84 mijë nga 2021 deri në 2025, kontribuuesit u rritën vetëm me 80 mijë.
Madje, në vitin 2025 situata u bë edhe më e pafavorshme, pasi numri i pensionistëve të rinj që hynë në skemë ishte 23% më i lartë se ai i kontribuuesve të rinj. Këto zhvillime lidhen më shumë me prirjet demografike sesa me informalitetin në tregun e punës, pasi plakja e popullsisë po përshpejtohet ndjeshëm nga largimi i të rinjve.
Pas pandemisë, gjatë periudhës 2021 – 2025, INSTAT raporton se mbi 166.4 mijë shqiptarë kanë emigruar më shumë sesa janë kthyer, dhe pjesa më e madhe e tyre janë të rinj. Kjo shtresë produktive i derdh kontributet në sistemet gjermane, italiane apo angleze.
Në vend mbeten prindërit dhe gjyshërit, të cilët, pasi dalin në pension, detyrohen të mbështeten mbi një bazë gjithnjë e më të vogël dhe të pafuqishme kontribuuesish vendas, duke rritur deficitin e skemës dhe duke marrë pensione minimale.
Një tjetër faktor që e rëndon situatën është edhe zgjatja e periudhës së përfitimit të pensionit, pasi vitet mesatare pas daljes në pension kanë arritur në 23 vjet, nga 22.4 vite që ishin në vitin 2021. Rritja e jetëgjatësisë po e shton vit pas viti kohën e përfitimit dhe, rrjedhimisht, edhe shpenzimet.
Me rritjen e numrit të pensionistëve po shtohet edhe presioni social. Vitin e fundit, qeveria miratoi një bonus mujor si shtesë mbi pensionin, por ai është më pak se 900 lekë në muaj. Për shkak të problemeve që shoqërojnë politikën e pensioneve, ajo shpesh mbetet peng i cikleve elektorale dhe interesave të momentit, duke i shtyrë pa fund reformat e thella strukturore dhe duke krijuar kosto për të gjitha palët.
Në vitin 2021, për çdo pensionist pleqërie kishte 1.42 kontribuues aktivë në sistem. Në vitin 2025, ky raport ka rënë në 1.36. Edhe pse diferenca prej 0.06 pikësh duket e vogël, prirja është e vazhdueshme.
Nëse nuk ndërhyhet, skema po shkon drejt një pike ku baza e kontributeve nuk do të jetë e mjaftueshme për të mbuluar detyrimet. Përveç numrit të ulët të kontribuuesve, Shqipëria përballet edhe me informalitetin e lartë të pagave.
Sipas të dhënave zyrtare, 27% e të punësuarve në tremujorin e parë të vitit paguanin kontribute mbi pagën minimale. Nëse një kontribuues deklaron kontribute mbi një pagë 50.000 lekë, por në realitet fiton 90.000 lekë, sistemi merr vetëm 40% të kontributit që do të duhej të siguronte.
354 mijë persona, pension mesatar 13,500 lekë në muaj
Gjatë vitit 2025, pensionet e pjesshme përbënin 55.2% të të gjitha pensioneve të pleqërisë, duke u rritur me 3 pikë përqindjeje brenda një viti, nga 52.1% në vitin 2024.
Kjo kategori është zgjeruar ndjeshëm, duke arritur në 353,983 përfitues në vitin 2025, nga 316,781 një vit më parë, ose me një rritje prej 11.7%.
Në të kundërt, numri i atyre që marrin pension të plotë ka rënë, duke zbritur nga 287,279 përfitues në vitin 2024 në 283,677 në vitin 2025, ose me -1.3%.
Vitet e fundit po shtohet numri i qytetarëve që nuk arrijnë të plotësojnë vitet e plota të punës dhe përfundojnë me pension të pjesshëm. Të dhënat zyrtare të ISSH-së tregojnë se pagesa mesatare për këtë kategori ishte vetëm 13,500 lekë në vitin 2025. Viti i kaluar shënoi një bum të vërtetë të pensioneve të reja urbane, me rreth 54,676 përfitues të rinj.
Prej tyre, vetëm 7,723 persona përfituan pension me vite të plota pune. Ndërsa 42,594 persona morën pension të pjesshëm. Kjo do të thotë se afro 85% e pensionistëve të rinj urbanë në vitin 2025 dolën në pension pa përmbushur vjetërsinë e plotë në punë dhe, rrjedhimisht, me pensione më të ulëta. Në zonat rurale tabloja është e njëjtë. Gjatë vitit 2025, nga 333 pensione të reja pleqërie në zonat rurale, 208 ishin të pjesshme, ndërsa vetëm 125 me vite të plota.
Shuma e pensionit përcaktohet në raport me vitet e kontributeve të derdhura kundrejt periudhës së kërkuar nga ligji, e cila po rritet gradualisht përtej 38 viteve. Shumica e këtyre pensionistëve marrin vetëm një pjesë të pensionit bazë, shpesh shumë afër nivelit të pensionit social.
Këto pagesa nuk mjaftojnë për të mbuluar kostot minimale të jetesës, sidomos në një realitet ku çmimet e ushqimeve dhe të shërbimeve mjekësore po rriten, ndërsa pagat e tjera po ecin më shpejt.
Për të mbijetuar, shumë të moshuar me pension të pjesshëm detyrohen të punojnë edhe pas moshës së pensionit, shpesh në informalitet.
Përkeqësohet shkalla e zëvendësimit
Shkalla e zëvendësimit tregon sa përqind të pagës së mëparshme merr një person si pension pasi del nga puna. Nëse dikush merr një pension sa një e treta e pagës së tij, atëherë kjo shkallë është 30%.
Ky tregues mat në mënyrë të drejtpërdrejtë sa mirë shteti arrin të ruajë nivelin e jetesës së qytetarit pasi ai largohet nga tregu i punës dhe hyn në moshën e tretë.
Sipas standardeve të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), kjo përqindje duhet të jetë të paktën 40% për të garantuar një jetë minimale dhe dinjitoze. Ndërsa Bashkimi Europian kërkon edhe më shumë, duke synuar që sistemet e konsoliduara të garantojnë nga 50% deri në 60% të pagës mesatare.
Sot Shqipëria ndodhet 10 pikë përqindjeje poshtë pragut minimal të ILO-s dhe, në vend që të përmirësohet, kjo distancë po thellohet nga viti në vit. Pensioni mesatar vitin e kaluar ishte sa 30% e pagës mesatare, duke u përkeqësuar ndjeshëm nga niveli 38% në vitin 2021.
Kjo rënie ndodhi sepse pagat në sektorin publik dhe privat u rritën më shpejt se pensionet, duke e dobësuar ndjeshëm fuqinë blerëse të të moshuarve. Paga mesatare në shkallë vendi u rrit me 47% nga viti 2021 deri në vitin 2025, ndërsa pensioni mesatar vetëm me 16%, duke reflektuar praktikisht vetëm indeksimin nga inflacioni.
Zgjerimi i hendekut mes pagave dhe pensioneve vjen në një kohë kur qiratë, ilaçet, ushqimet bazë dhe shpenzimet shëndetësore janë rritur ndjeshëm. Me pagesat aktuale, pensionistëve po u mungojnë edhe nevojat më të domosdoshme për mbijetesë. Por efekti i pensioneve të ulëta nuk kufizohet vetëm te kjo shtresë; ai përhapet në gjithë ekonominë. Pasoja e parë është tkurrja e konsumit.
Meqë pensionistët i shpenzojnë pothuajse të gjitha të ardhurat për produkte bazë si ushqimi, shëndetësia dhe energjia, rënia e tyre financiare ndikon drejtpërdrejt te konsumi dhe tregtia me pakicë. Studimet ndërkombëtare tregojnë se të moshuarit me të ardhura të ulëta heqin dorë nga shpenzimet për shëndetin, sepse nuk kanë mundësi t’i përballojnë.
Këto zgjedhje sjellin diagnoza të vonuara dhe trajtime të pamjaftueshme, të cilat më pas rëndojnë mbi spitalet publike si urgjenca të shtrenjta. Një brez që detyrohet ta kalojë muajin me vetëm 30% të pagës mesatare humbet plotësisht aftësinë për të marrë pjesë në jetën e komunitetit.
Mosarritja për të përballuar vizitat familjare, aktivitetet kulturore apo edhe gjëra elementare si ushqimi me mish ose ngrohja e shtëpisë gjatë dimrit, krijon izolim të thellë ekonomik për këtë shtresë.
