Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, ka njoftuar se, në kuadër të aktivitetit muzikor “YE”, që do të zhvillohet sot në zonën e Kasharit, do të zbatohen kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa akse rrugore të kryeqytetit.
Sipas njoftimit zyrtar, nga ora 07:00 deri në orën 24:00 do të ndalohet qarkullimi në aksin dytësor të autostradës Durrës–Tiranë, nga zona e “Eiffel” deri te “Casa Italia”. Ky segment do të funksionojë vetëm me sens daljeje për subjektet që operojnë në zonë.
Të lidhura
None found
Po në të njëjtin interval kohor, do të bllokohet edhe korsia e daljes së autostradës Durrës–Tiranë në rrethrrotullimin e “Casa Italia”.
Ndërkohë, nga ora 12:00 deri në orën 24:00, nuk do të lejohet qarkullimi në segmentin “Casa Italia” – rruga “Pavarësia” – rruga “Sokrat Miho”, si dhe në segmentin “Rruga “Sokrat Miho” – rruga “Kasem Shima” – rruga “7 Nëntori”, i cili do të funksionojë vetëm me sens daljeje.
Policia bën me dije se edhe në aksin nga Ura e Institutit deri te “Casa Italia” mund të ketë bllokime të pjesshme të qarkullimit, në varësi të fluksit të pjesëmarrësve, me qëllim menaxhimin e trafikut dhe garantimin e zhvillimit të sigurt të aktivitetit.
Gjatë orareve të kufizimeve, akses në zonat e bllokuara do të kenë vetëm automjetet e emergjencës dhe mjetet e Policisë së Shtetit.
Policia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve të tregojnë mirëkuptim, të planifikojnë lëvizjet e tyre paraprakisht, të përdorin akse alternative dhe të zbatojnë udhëzimet e efektivëve të Policisë të angazhuar në terren.
