Dhuna ndaj 3-vjeçares në kopshtin pa licencë, e pëson edhe bashkëshorti i drejtoreshës

Bashkëshorti i drejtoreshës së kopshtit “Stinët”, Entela Danushi, ku u dhunua 3-vjeçarja, është vënë nën hetim nga policia e Tiranës.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ku ka nisur procedimi penal për shtetasin Daniel Danushi, 45 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, “Fshehja e të ardhurave”, dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, thuhet në njoftim.

Danushi akuzohet se ka ushtruar pa licencën përkatëse, veprimtarinë në një kopsht fëmijësh, në rrugën “Ali Demi”, Tiranë, dhe ka fshehur të ardhurat e përfituara nga ky aktivitet.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Çfarë ndodhi në kopshtin “Stinët”

Edukatorja Majlinda Dehima, akuzohet se ka ushtruar dhunë ndaj një 3-vjeçareje, e cila ndodhet në spital me këmbë të thyer.

Rrethanat në të cilat vogëlushja është lënduar në këmbë janë ende të paqarta, por në videot e publikuara më herët, të marra nga kamerat e sigurisë, edukatorja ka dhunuar 3-vjeçaren me vizore.

Ngjarja ndodhi në datën 1 nëntor, por u bë publike 5 ditë më vonë.

Prindërit e vajzës akuzojnë edukatoren për dhunë, ndërsa kjo e fundit ka deklaruar dje në polici se e ka goditur me vizore vetëm për të pasur mendjen në mësim.

Ndërsa ministria e Arsimit, ditën e djeshme kërkoi mbylljen e kopshtit që ushtronte veprimtarinë pa licencë./albeu.com 


Shtuar 8.11.2023 14:55