“Deklaratës së PPE” për Belerin, i vjen erë: Kush është zyrtari i lartë i PPE që e ka hartuar, lobuar dhe shpërndarë, lidhja e fortë me Micotaqis

Dy ditë më parë u shpërnda lajmi se Asambleja e Partive Popullore Europiane ka miratuar një rezolutë, të propozuar nga partia greke, Nea Dimokratia (pjesë e këtij grupimi) për rastin e Fredi Belerit, i burgosur për korrupsion zgjedhor.

“U bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare që të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve dhe të vijojnë me ceremoninë e betimit të kryebashkiakut të zgjedhur”, thuhet në deklaratë që flet për “sundim ligji dhe të drejtat e njeriut”.

Kryeministri Edi Rama reagoi në lidhje me këtë rezolutë të Partive Popullore Evropiane.

“Interesante! “I bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare”… Një thirrje pa specifikuar se cilat autoritete dhe, me siguri, pa u informuar se problemi në këtë rast nuk është rezultati i zgjedhjeve, por rezultati i gjykatave, të cilat tashmë e kanë refuzuar një kërkesë të tillë” – tha Rama.

Përtej deklaratës së PPE dhe përgjigjes së Ramës, ka diçka që nuk shkon me këtë rezolutë.

Burime diplomatike thanë për gazetën DITA në Tiranë se rezoluta e sjellë nga një parti greke u lobua fort te anëtarët e presidencës dhe organeve drejtuese të PPE nga Thanasis Bakolas, i cili edhe e shpërndau më pas atë.

Po kush është z.Bakolas?

Nga një vëzhgim në faqen zyrtare të PPE, në strukturën e këtij organizmi, vihet re se Bakolas është aktualisht zyrtari me më shumë kopetenca ekzekutive në PPE. Ai është zgjedhur në vitin 2022 Sekretar i Përgjithshëm i PPE dhe është njëkohësisht një nga tre anëtarët e bordit drejtues të Presidentëve të PPE.

Të gjithë e kanë vënë re se z.Bakolas është grek dhe rezoluta u paraqit nga një parti greke. Kjo mund të mbahej deri diku brenda kufijve të një normaliteti të sforcuar, por nuk mbaron këtu.

Një kërkim i gazetës DITA në CV e zotit Bakolas nxjerr se përpara se të merrte dy postet e larta drejtuese në PPE, ai ka qenë… këshilltar i kryeministrit grek Micotaqis dhe njeri i afërt i tij për një kohë të gjatë.

Micotaqis është angazhuar personalisht me çështjen Beleri, një personazh kontrovers i njohur për veprimtari antishqiptare dhe që ka bërë deklarata publike të cilat shkelin Kushtetutën e Shqipërisë.

Ai u shpall fitues me 19 vota diferencë në Bashkinë e Himarës, por ishte arrestuar para shpalljes së rezultatit nën akuzën për blerje votash. Për shumë më pak se kaq zgjedhjet janë përsëritur ose kanë kaluar në kalvare të gjata gjyqësore në historinë elektorale të Shqipërisë.

Por pyetja bazuar te ato që dalin mbi veprimet, pozicionet dhe të kaluarën e z.Bakolas është: A kemi të bëjmë vërtetë me “të drejtat e njeriut” si kërkesë e PPE në Bruksel në këtë rast apo kemi të bëjmë më shumë me një rreth të mbyllur të interesave politike të Athinës?

“Rezoluta vërtetë mban etiketën e PPE, por nga hartimi dhe propozimi deri te lobimi, miratimi dhe shpërndarja është e gjitha me ngjyra greke” – tha për DITA burimi diplomatik.


Shtuar 6.09.2023 22:46