Kjo javë ka qenë e ngjeshur me aktualitet politik. Nga dekretimi i datës së zgjedhjeve nga presidenti Bajram Begaj, te nënshkrimi i marrëveshjes mes Partisë së Lirisë së Ilir Metës dhe Partisë Demokratike të Sali Berishës, deri te udhëtimet e shumta të Ramës me charter e të vendosja e aplikimit të fashës 800 khë. Se çfarë ka ndodhur më hollësishëm në një javë, lexoni artikullin më poshtë të albeu.com.
Dekreti i datës së zgjedhjeve lokale 2023
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka caktuar 14 majin 2023 si datën e zhvillimit të zgjedhjeve vendore të ardhshme. Presidenti e vlerësoniperiudhën deri në zgjedhje si shumë të rëndësishme për përmbylljen me sukses të kësaj sfide demokracie për institucionet, partitë politike dhe gjithë shoqërinë shqiptare, si dhe theksoi se është koha për të demonstruar përkushtim dhe bashkëpunim institucional, pjekuri politike dhe përgjegjshmëri qytetare. Begaj nxit të gjitha palët që të shkojnë drejt kësaj date me përulësi dhe respekt ndaj qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë. Kreu i Shtetit ftoi votuesit të mos anashkalojnë detyrën qytetare të mirë-informimit mbi alternativat politike dhe ushtrimit të të drejtës së votës, të pandikuar nga interesa, që cenojnë votën dhe vullnetin e lirë. Ndër të tjera, Presidenti Begaj nënvizon se Komisioni i Reformës Zgjedhore ka detyrimin të përshpejtojë punën dhe të adresojë në kohë të gjitha çështjet e dala nga rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR-it. Me këtë rast, Presidenti Begaj vlerëson nevojën e vendosjes së normalitetit politik në pushtetin vendor dhe u bën thirrje partive politike që të shkojnë në këto zgjedhje me alternativa politike serioze e konkurruese, që kanë në qendër të vëmendjes qytetarin dhe standardet më të mira demokratike.
Nënshkrimi i marrëveshjes, Partia e Lirisë – Partia Demokratike
Të enjten, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe ai i Partisë së Lirisë, Ilir Meta kanë firmosur marrëveshjen për zgjedhjet lokale që do të mbahen në 14 maj. Sipas marrëveshjes mësohet se Berisha-Meta do të dalin me një kandidat të përbashkët për kryetarë bashkishë pas primareve.
“Ndërmjet Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë, për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023. Sot, me datë 27 tetor 2022, ne, përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë, firmosim marrëveshjen që vijon, pas konstatimit se Shqipëria është në momente kritike: të asgjësimit të pluralizimit politik në nivel vendor; të shpopullimit masiv dhe tragjik; të krizës ekonomike, që po çon në kolaps vendin; të qeverisjes së kapur peng nga trafiqet, paraja e pisët dhe korrupsioni.
Në këto kushte, Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Partia e Lirisë, dakordësohen që t’i ofrojnë Shqipërisë një alternativë fituese në zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023, që përfaqëson vetëm interesat e qytetarëve dhe interesin më të lartë publik”, thuhet në një pjesë të marrëveshjes.
Hakerat iranianë vijojnë të publikojnë të dhënat sensitive. Kësaj herë shënjestër e tyre është bërë kryeministri Edi Rama.
Në rrjetin telegram, hakerat kanë bërë publike të gjitha të dhënat personale të kreut të qeverisë. Ndër to janë kartat e identitetit, pasaportat, adresa e banimit e të dhëna të tjera. Gjithashtu janë bërë publike edhe të gjitha hyrjet dhe daljet e kryeministrit nga Shqipëria që nga viti 2004 e deri në 2022. Në këtë dokument janë të dhënat e 394 udhëtimeve të kryeministrit, shumica e të cilave me avionë por në disa raste ka dalë me makinë nga pikat kufitare me Greqinë apo Maqedoninë e Veriut. Nga skeda e sistemit TIMS që rrjeti i hakerave iranian ka publikuar, thuhet se Rama ka bërë 15 fluturime jashtë Shqipërisë dhe vetëm dy prej tyre janë me avion të zakonshëm. Por sa u kanë kushtuar shqiptarëve udhëtimet e Ramës me Charter? Shifra është e frikshme! Por të llogaritura me çmimin 150 mijë euro fluturimi, Rama ka shpenzuar me charter 19050000 euro. Pra, Rama, kryeministri i një prej vendeve më të varfra të Europës bën 19 milionë euro udhëtime në disa vjet, ndërsa në Facebook-un e tij publikon foto në avionët komercialë të Air Albania, duke të krijuar idenë se po fluturon me klasin ekonomik. Pas publikimit të fluturimeve, kanë vërshuar dhe sulmet politike. Kreu demokrat Lulzim Basha e ka cilësuar si super abuzim miliarda eurosh, ndërsa Rama i është përgjigjur duke hedhur poshtë shpenzimet janë shumë të vogla.
ERE vendos fashën 800 kwh, hyn në fuqi në nëntor
Enti Rregullator i Energjisë njoftoi të premten se në muajin nëntor dhe dhjetor, do të aplikohet çmimi 44 lekë për kilovat mbi fashën 800 KW.
“Për të gjithë konsumatorët familjarë që furnizohen nga Shërbimi Universal (FSHU sh.a.). ERE ka detyrimin të reflektojë çmimet e energjisë së konsumatorëve fundorë të shërbimit universal, kostot e furnizimit sipas kostove të burimit të sigurimit të energjisë.
Vendimi i Brodit të ERE-s nr. 242 datë 23.09.2022, i ndryshuar me vendimin e Bordit nr.254 datë 07.10.2022, qëndron në fuqi për muajt nëntor – dhjetor 2022, dhe këto çmime mbeten të aplikueshme, ashtu si përcaktuar në vendim, për periudhën 1 nëntor 2022 – 31 dhjetor 2022.
Siç theksuar dhe më parë nga vendimmarrja e ERE-s, çmimi i furnizimit me energji elektrike për konsumatorët që konsumojnë mbi fashën e konsumit 800 KË, do të mbetet objekt rishikimi periodik, bazuar në kërkesën FSHU sh.a., vendimet e Asamblesë së KESH sha, si dhe vlerësimet e ERE-s, nëpërmjet të cilave do të vlerësohen ndryshimet në çmimin e shitjes se energjisë elektrike për konsumatorët fundorë të shërbimit universal”, thuhet në deklaratën e ERE.
Ndërkohë, qeveria e ka kundërshtuar. Kryeministri Rama tha se qeveria nuk ka vendosur ende fashën e re të energjisë elektrike për 800 kwh, duke theksuar se ERE vendos çmimin, por aplikimin e vendos qeveria./albeu.com