Një sondazh i ri tregon se dy të tretat e qytetarëve të Bashkimit Evropian do ta mbështesnin rikthimin e Mbretërisë së Bashkuar në BE, ndërsa në Britani shumica kërkon afrimin e marrëdhënieve me bllokun.
Studimi, i realizuar nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR) 10 vite pas referendumit të Brexit-it, nxjerr se 66% e të anketuarve në 15 shtete të BE-së e vlerësojnë në mënyrë pozitive ose neutrale anëtarësimin e Britanisë në union.
Të lidhura
None found
Nivelet më të larta të mbështetjes për rikthimin e Britanisë janë shënuar në Holandë dhe Danimarkë, ku kjo shifër arrin në 75%. Në krahun tjetër, përqindjet më të ulëta janë regjistruar në Bullgari, Francë dhe Itali.
Në Mbretërinë e Bashkuar, 75% e qytetarëve të pyetur janë shprehur në favor të marrëdhënieve më të afërta me Bashkimin Evropian. Sipas sondazhit, shumica beson se Brexit ka pasur ndikim negativ në disa çështje kyçe.
Këto përfshijnë koston e jetesës (66%), ekonominë (65%), mundësitë për të rinjtë (57%), emigracionin e paligjshëm (56%) dhe tregtinë (56%).
Sondazhi tregon gjithashtu se edhe një pjesë e atyre që në vitin 2016 votuan për largimin nga BE-ja, tashmë shfaqen më të prirur për lidhje më të ngushta me bllokun.
Një prej përfundimeve më domethënëse të këtij studimi është se 63% e britanikëve do të pranonin rikthimin e lëvizjes së lirë të njerëzve, nëse kjo do të sillte marrëdhënie më të forta ekonomike dhe tregtare me BE-në.
Në këtë grup përfshihen edhe 57% e qytetarëve që votuan për Brexit në referendum.
Ndërkohë, disa liderë evropianë kanë sinjalizuar gatishmëri për një afrim të ri me Londrën. Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri spanjoll Pedro Sánchez kanë deklaruar se dera për Britaninë mbetet e hapur.
