As moti me reshje të dendura nuk i ka ndalur dhjetëra fermerë të disa fshatrave të Roskovecit e Dimalit të ngrihen mesditën e sotme në një protestë për ti thënë stop ndërtimit të Termocentralit në fshatin Suk1.
Me pankarta në duar, banorët e kanë quajtur vdekjeprurës ndërtimin e këtij termocentrali në zonën e tyre duke theksuar se prania e tij do të shkatërrojë një sipërfaqe bujqësore prej 700 ha me sera pasi sipas tyre jo vetëm toka, uji, por edhe ajri do të ndoten.
“Ne jemi të vendosur për të ndaluar këtë bombë ekologjike, që po na sjellin në derë të shtëpisë”, kanë thënë fermerët dhe do të protestojmë fuqishëm.
Fermerët kanë pohuar gjithashtu se tentativa e bashkisë së Roskovecit për t’i hapur rrugën ndërtimit të këtij termocentrali në zonën bujqësore të Suk 1, është kriminale, pasi mjaftueshëm kanë vuajtur nga ndotja dramatike e puseve të naftës.
Ne kërkojmë urgjentisht transparencë pasi nuk jemi vënë në dijeni të këtij projekti kanë thënë fermerët protestues duke paralajmëruar edhe grevë urie. Ndërkohë ndërtimi i këtij termocentrali ka ngjallur debate të ashpra edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak ku është rrëzuar me shumicë kartonash nga këshilltarë të majtë e të djathtë duke i dal në mbrojtje 35 mijë banorëve të kësaj zone. Këshilltarët i janë bashkuar edhe protestës së sotme duke kundërshtuar fuqishëm këtë të ashtuquajtur ndërtim strategjik.
Protestat kundër ndërtimit të këtij termocentrali të refuzuar në bashki të tjera të vendit, do të vijojnë pandalur janë shprehur banorët.