Nga të gjithë fansat e aktorit kryesor në serialin që po transmetohet në Tv Klan, “Shtëpia ime, fati im”, është mësuar një lajm i keq. Siç shkruajnë mediat vendëse, aktori që luan rolin e Mehdiut, Ibrahim Çelikkol, do të largohet duke e lënë në mes serialin.
Krejt papritur është mësuar se në seritë e ardhshme, të cilat po transmetohen njëkohësisht edhe në “Tv 8” në Turqi, çifti kryesor, Zejnep dhe Mehdi, do të ndahen. I gjithë skenari është ndryshuar pikërisht për shkak të largimit të aktorit kryesor.
Asnjë prej aktorëve kryesorë nuk ka bërë një deklaratë publike për ikjen e papritur të protagonistit, por pyetjes së të gjithë fansave “Si do të jetë fundi i Mehdiut?”, askush nuk mund t’i japë përgjigje pa u transmetuar seritë e fundit me personazhin e tij.
Çelikkol do të jetë i pranishëm edhe për dy seritë e ardhshme, pas të cilave, gjithçka do të ndryshojë në fabulën e filmit. Nuk dihet nëse në vend të aktorit do të hyjë dikush tjetër apo historia e serialit do të marrë tjetër rrjedhë.
Ende nuk dihet nëse Ibrahim Çelikkol, i martuar dhe baba i një fëmije, do të jetë pjesë e ndonjë projekti të ri televiziv.