Sean Penn vijon të jetë dashuria më e madhe në jetën e Madonnës, pavarësisht se këngëtarja përfshin tone kritike ndaj ish-bashkëshortit në albumin e saj të fundit. Këtë e ka pohuar një mik i afërt i artistes, duke iu referuar aktorit fitues të çmimit Oscar.
Page Six raporton se në disa këngë të albumit “Confessions on a Dance Floor Part II”, Madonna përmend vëllain e saj të ndjerë, njerkën dhe Sean Penn. Këngëtarja dhe aktori patën një martesë të trazuar gjatë viteve ’80, ndërsa në një nga materialet e reja muzikore ajo përshkruan “ndjesinë e kërcënimit” që kishte përjetuar në atë marrëdhënie.
Të lidhura
None found
Sidoqoftë, sipas mikut të “Mbretëreshës së Popit”, përmbajtja e këtyre referencave nuk e ndryshon faktin se Penn mbetet personi që ajo ka dashur më shumë se kushdo tjetër.
Një tjetër pjesë personale e albumit është dueti i Madonnës me vajzën e saj 29-vjeçare, Lourdes Leon. Artistja ka treguar se nisma për të krijuar së bashku erdhi nga vetë Lourdes, e cila e pa këngën si një mundësi për të shëruar raportin mes tyre.
Marrëdhënia e nënë e bijë ka kaluar etapa të vështira, sipas personave pranë këngëtares. Lourdes e konsideronte Madonnën tepër strikte gjatë viteve kur po rritej, kurse artistja përjetonte ndjenja faji sepse vajza ishte rritur mes famës ndërkombëtare dhe ekspozimit të pandërprerë publik.
Në duetin e tyre, Madonna e quan Lourdes “yll i vogël”. Të njëjtën nofkë ajo e kishte përdorur për të edhe në albumin “Ray of Light” të vitit 1998, kur vajza ishte vetëm dy vjeçe.
Miku i këngëtares ka shpjeguar se largësia ndërmjet tyre lidhej gjithashtu me dëshirën e Lourdes për të krijuar identitetin e vet, pa u përkufizuar vetëm si vajza e një superylli.
Gjatë viteve, Madonna është kritikuar për disiplinën e fortë me të cilën ka rritur gjashtë fëmijët e saj. Raportimet thonë se në shtëpi ajo zbatonte rregulla të rrepta, vendoste kufizime për përdorimin e teknologjisë dhe kërkonte një mënyrë jetese të disiplinuar.
Lourdes ka deklaruar më parë se e ëma ishte “një maniake e kontrollit”. Ajo ka pohuar gjithashtu se, pasi përfundoi shkollën e mesme, ndjeu nevojën të largohej për të jetuar në mënyrë të pavarur dhe për të ndërtuar jetën e saj.
Tashmë, megjithatë, marrëdhënia e tyre duket se ka shënuar përmirësim të madh. Burime pranë familjes thonë se puna e përbashkët në muzikë i ka ndihmuar të kapërcejnë mosmarrëveshjet dhe të krijojnë sërish afërsi.
“Madonna dhe Lola kanë pasur vështirësi në marrëdhënien e tyre, por tani po shkojnë shumë mirë falë krijimit të kësaj kënge”, deklaroi për Page Six miku i artistes.
