Nuk e mbështeti kurrë në rrugën që zgjodhi, Fadil Berisha tregon mes lotësh takimin e fundit me të atin

Sot është një nga fotografët shqiptarë më të njohur ndërkombëtarisht, por fillimet për Fadil Berishën nuk kanë qenë aspak të lehta. Ai nuk e ka pasur mbështetjen e familjes kur vendosi t’i përkushtohej artit. Pa aprovimin e të atit, ai ndoqi shkollën fillimisht si stilist, përpara se të dashurohej me magjinë e aparatit fotografik.

I përlotur dhe me zërin që i dridhej, fotografi ka rrëfyer për emisionin “Rudina” në Tv Klan momentet më të vështira në fillimet e karrierës, përfshirë edhe një periudhë 6-mujore që ra në depresion.

“Ishte një moment kur unë nuk kisha asnjë ndihmë dhe po punoja 3 punë që të mbaja shkollën. Momenti kur isha me një fëmijë dhe një grua, nuk paguaja dot qiranë dhe më largojnë nga shtëpia. U ktheva në shtëpi, ishte një ngelje aq e madhe në jetë dhe si person. Rashë në depresion për 6 muaj derisa u forcova. Pasi u ktheva, m’u kthye e gjithë puna,” -tregoi ai.

Fadil Berisha u ndal gjithashtu në një moment tjetër të vështirë, që ishte ishte takimi me të atin, pikërisht kur ai po jepte frymën e fundit.

“Babi po vdiste në atë kohë dhe kishte thënë që “nuk do të të flas më, ta dish se ç’po bën”. Por kishte dëgjuar nga mami që i kisha punët mirë, që kisha një shtëpi me tre dhoma gjumi dhe kisha sukses. Nuk donte të vdiste para se të ma jepte lirinë. Nuk më shihte në fytyrë, por shihte në mur sepse kisha qenë gjithnjë kundër tij, për të ndryshuar botën. Më ka dashur shumë, por isha rebel. Më tha, “Si është ai biznesi yt?”, i thashë “Oh ba, jam në studion më të madhe në Nju-Jork, kam tabela gjigante, mora apartamentin tim”. Tha, “Kjo punë është shumë interesante, e gjithë familja nuk të ndihmoi, por ta mbylli dhe kurrë nuk e le. Zoti do të të ndihmojë dhe ty”. Kam qarë dhe qaj vazhdimisht kur e them këtë gjë,” -kujtoi i prekur fotografi.


Shtuar 26.06.2022 09:21