Sa herë e gjen veten në intervista, këngëtarja e njohur Mariza Ikonomi i përgjigjej njëlloj së njëjtës pyetjeje: “Jam gjithmonë e dashuruar, me jetën, me lulet, me pemët…”. Gjithmonë pyetjen e sikletshme për të rrëfyer publikisht një histori dashurie, Mariza mundohej ta shmangte. Deri sot…
Vetëm një natë më parë, Mariza ka publikuar klipin e këngës “Të dua ty”, në një ambient me miq të ngushtë, kolegë këngëtarë, gazetarë etj.
Pasi i falënderoi të gjithë për mbështetjen, Mariza, më në fund pranoi se “Të dua ty” është një këngë për të dashurin e saj. Ajo rrëfeu se është në një lidhje dashurie prej disa kohësh, të cilën, tani vendosi edhe ta bëjë publike.
E ftuar te “Rudina” në Tv Klan, Mariza tha që “tani do ta pranoj, s’kam ç’të bëj”. Të gjithë miqtë e ngushtë të saj, e dinë këtë lidhje prej kohësh, përfshirë edhe Dasara Karaiskaj, por ama “nuk flasin”.
“Në fakt, dua të them shumë, por është bekim kur je e rrethuar nga dashuria. Dje e kam ndier veten të rrethuar nga dashuria 100 për qind” – tha këngëtarja pa e zbuluar identitetin e partnerit të saj. Natyrisht, ai ishte i pranishëm në prezantimin e klipit të saj:
“Ishte prezent, nëpër cepat e telajos, në çdo cep të telajos”, – shtoi ajo, sërish e rezervuar për të zbuluar më shumë.
Urimin e mikeshës së saj, Dasara Karaiskaj, për të qenë së shpejti nënë e vajze, Mariza do ta priste me shumë kënaqësi:
“Unë, në fakt, ndoshta edhe për shkak të këtij instinktit të mëmësisë, kam dashur gjithmonë vajzat. Patjetër, edhe djemtë, por nuk e di pse, ngaqë jemi familje gocash. Por edhe kur ka ardhur nipi pastaj, e ndryshoi komplet. Patjetër që më pëlqen, familja është e shenjtë, e shtrenjtë dhe është ndryshe të flasësh, por kur ke vajzë, është e konkretizuar dhe të duket ndryshe.”
Partneri, shtoi më tej Mariza, është artist në shpirt, por nuk merret me art. Ka shije artistike shumë të mirë, por nuk është u fushës artistike, megjithatë është kritik mjaft i mirë i saj.
Për mënyrën se si janë njohur, Mariza nuk foli gjatë, por tha se ishte koha e duhur:
“Ka qenë një mbrëmje mes yjeve, mes hënës, në plazh. Kanë qenë të gjitha kushtet për të rënë në dashuri”.