Klodian Hoxha i është bashkuar kastit të një seriali serb, i cili pritet të shfaqet në televizionin publik të Serbisë.
Gjatë intervistës në emisionin “Në Shtëpinë Tonë” në Top Channel, aktori shqiptar tregoi rrugëtimin që e çoi drejt këtij projekti. Sipas tij, një agjent e ndihmoi të kapërcente kufijtë. Fillimisht kishte zhvilluar audicion për një personazh tjetër, por e refuzoi ofertën pasi roli ishte në gjuhën serbe dhe ai nuk mund ta realizonte. Më vonë iu propozua një rol ku dialogët zhvilloheshin në shqip, anglisht dhe gjermanisht.
Të lidhura
None found
Në serial, Hoxha interpreton një bos që jeton në Beograd. Aktori zgjodhi të mos jepte hollësi të tjera rreth personazhit dhe zhvillimeve të projektit.
Hoxha njoftoi gjithashtu se së shpejti do të prezantojë një projekt të madh personal, me të cilin do të jetë pjesë e festivalit të Kanës. Ai shpjegoi se po punohet për krijimin e një produksioni të tyrin, të cilin e cilësoi shumë interesant. Synimi është realizimi i një filmi shqiptar, ku ai do të angazhohet edhe në produksion.
I diplomuar në Akademinë e Arteve në Tiranë, Klodian Hoxha e ka zhvilluar karrierën e tij në teatër, si edhe në kinemanë shqiptare dhe atë ndërkombëtare. Për të ardhmen e afërt, ai thotë se e sheh veten edhe në rolin e producentit të filmave.
