Eixhel Shkira ka qenë një ndër banoret më të komentuara brenda shtëpisë së Big Brother Vip. Inteligjenca dhe aftësia për të gjykuar ftohtë çdo situatë të krijuar nga konkurentët e çuan moderatoren deri në finale.
Përveç çmimit 10 mijë euro, një tjetër dhuratë me vlerë që mori Einxhel ishte konkretizimi i idesë së saj për të ndihmuar vajzat të cilat nuk kanë mundësi të shkollohen. Ajo do të moderojë një emision lidhur me këtë.
E ftuar në Pardon My French me Jonida Aliçkollin dhe Elona Duron, Einxhel tregoi më shumë rreth detajeve dhe punës që do të fshihet pas gjithë projektit.
“Ideja kryesore është ndihma ndaj vajzave që duan të shkollohen. Kjo është kauza ime, kryesisht për vajzat dhe në jetën e përditshme jam e tillë, prekem nëse cënohet pjesa e feminizmit tim. Këtë nuk e bëj se dua të tregohem heroinë, por sepse më prek. Ideja kryesore dihet, ne nuk jemi ulur për detajet ende. Duhen ndjekur rastet, ka shumë punë para se ti të startosh projektin televiziv,” u shpreh ajo.
Ndërkohë një ditë pasi Arbana bëri me dije se Einxhel do të moderojë një format të tillë, Rudina Dembacaj kujtoi se një iniciativë të kësaj natyre e ka marrë ajo e para.
Kjo akuzë e aktores për “vjedhje ideje” ka qenë e pavend sipas Einxhel e cila tha se nuk është nga ata njerëz që i mungojnë idetë.
“Nëse dikush tjetër do kishte ngritur zërin, do kishte bërë sakrificë ngujimi në Big Brother, vetëm do e duartokisja që është dhe dikush tjetër si unë. Nuk mendoj se ka rëndësi kush e ka patur idenë e para, e dyta apo e treta… Unë e kam treguar mjaftueshëm që truri më buron ide dhe nuk hyj te njerëzit që kam nevojë të vjedh ide,” tha ajo në Top Albania Radio.