Tre çifte janë krijuar deri tani në “Big Brother VIP”, por askush s’e kishte menduar se një histori do lindte mes një konkurrenteje dhe një parashutisti. Aq shumë parashuta kanë fluturuar sipër shtëpisë më të famshme në Shqipëri saqë Monika krijoi një “crush” për të. I ashtuquajturi “piloti” u kthye në një personazh këtë edicion teksa të premten ai takoi Monikën duke na dhuruar momente shumë humoristike.
Prej ditësh, Monika i ka kërkuar Elgitit, i cili ka bashkëpunuar me Donaldin dhe Romeon për disa projekte, të bëjë një këngë për të dhe pilotin. Edhe mbrëmjen e djeshme ajo e ka përsëritur kërkesën duke thënë:
“Mirëmbrëma Elgit, mirëmbrëma dhe ti Romeo. Si jeni në rradhë të parë? Besoj që jeni shumë mirë. Tani, kjo gota është për ju, do ta kthej me fund për ju. Por mos harroni qëllimin: këngën për mua.
Pra, piloti, shtëpia, trëndafili dhe Monika”- ka thënë ajo teksa ka ngritur dollinë.
Ky moment nuk i ka shpëtuar producentit i cili ka treguar se e ka marrë mesazhin e Monikës duke ripostuar videon e kërkesës së saj në Instastory. “Na është vënë Monika me bukë me vete”- ka shkruar ai me nota humori duke bërë tag dhe Romeon.
Më pas ai ka publikuar një ‘folder’, i titulluar “Piloti”. Mbi foton e postuar, Elgiti shkruan: “U kry si këngë”.