Habit me rrëfimin Gent Zenelaj: Kam qenë çoban, ruaja bagëti

Aktori i njohur i humorit, Gentian Zenelaj ishte së fundmi i ftuar te “Rudina” në Tv Klan. Gjatë intervistës ai kujtoi fëmijërinë e tij në vendlindje, Lezhë.

Genti tha se atje ka kaluar shumë aventura, madje ka qenë dhe çoban.

“Gjetja e një kujtimi për mua është shumë e çmuar. Më ndodh shumë shpesh në Lezhë kur ulem buzë Drinit, pi një kafe apo vendbanimit Ilir apo tek vendvarrimi i Skënderbeut, teksa rri mendueshëm ndër 100 mendimet që kam në kokë del një fill si tek filmi i Harry Potter del një fill nga koka dhe janë një varg kujtimesh të cilat vijnë që lidhen me fëmijërinë tënde. Unë në Lezhë kam parë aventura të papara, unë në Lezhë kam qenë edhe çoban. Dajat e mi kishin një tufë me dhi, se atëherë sa filluan të mbanin bagëti, sa u krijua demokracia dhe unë Kalanë e Lezhës e njoh pëllëmbë për pëllëmbë sepse aty janë dhe gurët ciklopikë, janë ata gurët e mëdhenj, gurët Ilirë dhe për ne ishte një skenografi e jashtëzakonshme. Sa herë që unë shkoj në Lezhë, mundohem t’i gjej me sy kalatë, tani janë bërë shumë ndërtime dhe sa mirë do ishte Bashkia e Lezhës ti zbulonte ato gurë sepse janë të jashtëzakonshëm për t’u parë”, u shpreh ai.


Shtuar 8.10.2022 22:59