Sir Elton John ka zbuluar se ka humbur shikimin në një rrëfim për shëndetin e tij të cilësuar si “zemërthyes” nga mediat, raporton sot shtypi ndërkombëtar.
Ai e pranoi publikisht mbrëmjen e 1 dhjetorit në skenën e Teatrit Dominion në Londër, gjatë një shfaqjeje gala të muzikalit të ri “Djalli vishet me Prada”, për të cilin artisti shkroi muzikën.
“Siç mund ta dinë disa prej jush, unë kam pasur disa probleme dhe tani kam humbur shikimin. Nuk mund të merrja pjesë në shfaqje, por u argëtova”, ”, tha legjenda e muzikës 77-vjeçare teksa falënderoi bashkëshortin e tij David Furnish të cilin e konsideroi “shkëmbi im”.
Shtatorin e kaluar autori i ‘Rocket Man’ pranoi se kishte mbetur me “vizion të kufizuar” në njërin sy për shkak të një infeksioni “serioz”, por siguroi se ishte në shërim.
“Gjatë verës po përballesha me një infeksion serioz të syve, i cili fatkeqësisht më la me shikim të kufizuar në njërin sy,” shkroi ai në Instagram: “Po shërohem, por është një proces jashtëzakonisht i ngadalshëm dhe do të duhet pak kohë përpara se shikimi të kthehet në syrin e prekur”.
Vitin e kaluar Sir Elton luajti shfaqjen e fundit të turneut të tij të lamtumirës në Mbretërinë e Bashkuar para rreth 120,000 njerëzve në Glastonbury.