Më 2 tetor, Këshilli i Ministrave dha miratimin për projektligjin “Për Tregjet e Kripto-Aseteve”, i përgatitur nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF).
Nisma synon të vendosë në Shqipëri një bazë të plotë ligjore për tregtimin e kripto-aseteve dhe ofrimin e shërbimeve të lidhura me to, në përputhje me kuadrin rregullator të Bashkimit Evropian.
Të lidhura
None found
Përmes këtij projektligji, legjislacioni shqiptar përafrohet me Rregulloren e BE-së 2023/1114, e njohur si MiCA. Dokumenti përfshin rregulla për emetimin e kripto-aseteve, veprimtarinë e platformave të tregtimit, ruajtjen dhe shkëmbimin e tyre, si edhe shërbime të tjera të lidhura me këtë sektor.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet mbrojtjes së investitorëve dhe garantimit të më shumë transparence. Në projektligj përcaktohen standarde për kapitalin, drejtimin e kompanive, trajtimin e konflikteve të interesit, sigurinë kibernetike, si dhe masat kundër abuzimit të tregut dhe pastrimit të parave.
Kuadri i propozuar synon që operatorët e kripto-aseteve në Shqipëri të ushtrojnë aktivitetin e tyre sipas rregullave më të qarta, të harmonizuara me standardet evropiane.
Projektligji parashikon edhe një trajtim të diferencuar për kategoritë e ndryshme të kripto-aseteve, duke marrë parasysh veçoritë dhe rreziqet që lidhen me secilën prej tyre.
