VMRO-DPMNE me akuza ndaj BDI-së dhe LSDM-së: 123 zyrtarë fshehin pasuri në vlerë prej 30 milionë eurove

Zyrtarë shtetërorë, kryetar komisionesh, drejtor e udhëheqës të institucioneve fshehin pasuri në vlerë prej 30 milionë eurove, kështu akuzojnë nga VMRO-DPMNE. Thonë se bëhet fjalë për zyrtarë të LSDM-së dhe BDI-së, të cilët sipas deputetit Brane Petrushevski, fshehin shtëpi, banesa, vikend shtëpiza, lokale afariste dhe nuk i kanë askund të paraqitura. Sipas VMRO-DPMNE-së bëhet fjalë për fshehje të qëllimshme të pasurisë, pasi që sipas tyre është fituar në mënyrë joligjore dhe kriminale. Është dhënë afat prej 24 orëve që vetë institucionet t’i publikojnë emrat,  në të kundërtën ata nesër do t’i shpalosin emër e mbiemër dhe çfarë pasurie fshehin.

“Afera e re “ Pasuri te fshehura” është edhe një tregues se si qeveria funksionon jashtë ligjeve, duke i mbrojtur shkelësit e ligjit e të cilët në këtë rast janë zyrtarë të emëruar dhe të zgjedhur, obligimi i të cilëve është t’i shërbejnë qytetarëve të Maqedonisë. Me LSD në qeveri këto zyrtarë padyshim që i shërbejnë vetëm partisë së tyre dhe njeriut që i emëron nëpërmjet seancave në qeveri. Këto pasuri janë të fshehta dhe nuk janë të evidentuara nga Komisioni shtetërorë për parandalim të korrupsionit”, pohoi Brane Petrushevski, deputet i VMRO-DPMNE-së./tv21


Shtuar 24.10.2022 14:31