RMV/ Në komunën e Çashkës maqedonasit protestojnë kundër ligjit të gjuhës shqipe

Viti i ri shkollor filloi në Maqedoninë e Veriut, por jo për fëmijët e komunës së Çashkës. Babai i njërit prej tyre ndihet keq kur sheh të birin që nuk lejohet të shkojë në shkollë.

“Krejt janë gëzuar. Ai u zgjua në mëngjes dhe më tha pse nuk më keni thirrur për të shkuar në shkollë? Ai ka qëndruar në shtëpi. Edhe pse ka ble gjithçka i gëzuar se do të shkojë në shkollë edhe ka mbet tek shpija. Ajo është shumë diçka e zorshme po nuk ke çfarë të bësh”, ka thënë Jusuf Zeqiri – banor i komunës Çashkë.

Fëmijët e Banjicës jetojnë në një fshat ku nuk ka as rrjet për telefonat celularë, e Ministria propozon që ta ndjekin mësimin online, për shkak se banorët maqedonas të kësaj komune nuk lejojnë që këta fëmijë të mësojnë në gjuhën shqipe. Kryetari i Komunës, Goran Stojanovski thotë se për 10 ditë do të ndërtohet objekt provizor, ku fëmijët shqiptarë do të kenë mundësinë të mësojnë në gjuhën amë.

“Presim nga Ministria e arsimit që në këtë platformë të vendoset shkolla. Sipas asaj që e thotë ministrja, kjo duhet të bëhet për 10 ditë. Të zgjidhet kompania dhe të fillojë të ndërtohet shkolla”, ka thënë Goran Stojanovski, kryetar i komunës së Çashkës.

E gjithë kjo për shkak se prindërit maqedonas, me vite protestojnë dhe nuk lejojnë që në shkollën qendrore “Todor Janevski”, të mësohet edhe në gjuhën shqipe.

Euronews Albania tentoi të kuptojë se si është e mundur të protestohet kundër të drejtës që e garanton kushtetuta për të mësuar në gjuhën amë, por ishte e vështirë.

“Largoje atë kamerë. Çfarë po mendon që po bën. Lëshojë atë kamerë! Lëshojë kur të them unë.”

Provuam të marrim përgjigje edhe prej drejtorit, por edhe atje na mbyllën derën.


Shtuar 10.09.2024 18:21