Pas deklaratës së kryeministrit Hristijan Mickoski se Qeveria nuk ka ndërmend të heqë dorë nga projektet për ndërtimin e qendrave të të dhënave, RDM thekson se çështja nuk duhet të kufizohet te pyetja nëse shteti do të vazhdojë apo jo rrugën e zhvillimit teknologjik.
Të lidhura
None found
Sipas RDM-së, askush nuk e kundërshton digjitalizimin apo përparimin e inteligjencës artificiale. Debati kryesor lidhet me kushtet në të cilat do të ndërtohet kjo infrastrukturë dhe me përcaktimin e aktorëve që do t’i vendosin këto kushte.
Për këtë arsye, organizata e ka ngritur çështjen edhe në nivel evropian, përmes projektrezolutës për zhvillimin e rregulluar të qendrave të të dhënave. Kjo projektrezolutë është përfshirë ndër katër temat e përzgjedhura për rezoluta në Kongresin e ardhshëm të Partisë së Gjelbër Evropiane, që do të mbahet në Varshavë.
RDM vlerëson se rregullat për ndërtimin e qendrave të të dhënave dhe të infrastrukturave të ngjashme duhet të përcaktohen që tani, me pjesëmarrjen e publikut dhe të të gjitha palëve të interesuara. Nuk mjafton deklarata se procesi është “i pakthyeshëm” apo se Qeveria nuk do të tërhiqet; paraprakisht duhet të bëhen të qarta kriteret dhe kushtet që do të udhëheqin zhvillimin e ardhshëm të vendit.
Njëkohësisht, duhet të përcaktohet pa paqartësi edhe përgjegjësia për pasojat negative që mund të shfaqen. RDM paralajmëron se qendrat e të dhënave nuk duhet të kthehen në pjesë të një gare për të joshur investime, ku shteti pranon paraprakisht kërkesat e investitorëve dhe interesin publik e trajton vetëm si çështje dytësore.
RDM thekson se përparimi teknologjik dhe ruajtja e burimeve natyrore mund të ecin së bashku. Sipas saj, një shtet modern duhet të vendosë rregulla që nxisin investimet, por njëkohësisht mbrojnë sigurinë energjetike dhe ujore, mjedisin si dhe komunitetet lokale”, thuhet në reagimin e RDM-së./Telegrafi/
