Gjatë 24 orëve të fundit, policia ka privuar nga liria 11 persona në lokacione të ndryshme të vendit, të dyshuar për drejtim të pakujdesshëm të automjeteve. Nëntë prej tyre janë ndaluar duke vozitur pa e pasur të dhënë provimin e vozitjes, ndërsa janë regjistruar edhe raste të ngasjes nën ndikimin e alkoolit dhe me shpejtësi dyfish mbi kufirin e lejuar.
Të lidhura
None found
Ministria e Punëve të Brendshme bëri të ditur se në mesin e të ndaluarve janë V.G. (64) nga fshati Moshticë, Gj.B. (60) nga Karasllari i Poshtëm, B.M. (49) nga fshati Negotinë, një 15-vjeçar nga fshati Siriçinë, O.A. (27) nga fshati Peshtalevë dhe N.N. (43) nga Gjevgjelia. Po ashtu, janë privuar nga liria një 17-vjeçar, M.J. (23) dhe S.A. (24), që të tre nga Shkupi.
Në rastin e S.A., policia ka vërtetuar se, krahas drejtimit të automjetit pa e dhënë provimin e vozitjes, ai ishte edhe nën ndikimin e alkoolit.
Për ngasje në gjendje të alkoolizuar është arrestuar edhe M.G. (64) nga Dellçeva. Ndërkaq, E.A. (23) nga fshati Gjermë është ndaluar pasi, sipas MPB-së, po e drejtonte automjetin me shpejtësi dyfish më të lartë se ajo e lejuar.
Pas përfundimit të dokumentimit të të gjitha rasteve, MPB-ja paralajmëroi se do të parashtrohen kallëzimet përkatëse penale.
Policia u ka bërë thirrje shoferëve që t’u përmbahen rregullave të komunikacionit, të mos drejtojnë automjete pa patentë të fituar përmes provimit dhe të mos ngasin nën ndikimin e alkoolit. Gjithashtu, kërkohet që shpejtësia të përshtatet me kushtet në rrugë dhe me kufizimet e përcaktuara.
