Koordinatori i Grupit parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitreski dhe deputetja Sonja Mirakovska deri në Kuvend propozuan ndryshime dhe plotësime në Ligjin për partitë politike në procedurë të shkurtuar. Qëllimi i propozimit është të rritet transparenca dhe distancimi nga fashizmi, nazizmi dhe nacional-socializmi.
Me propozim- ligjin do të mundësohet transparencë më e madhe, si për partitë politike ekzistuese ashtu dhe ato të ardhshme, duke garantuar siguri juridike të qytetarëve me rëndësi për një shtet ligjor demokratik, modern dhe të civilizuar, thuhet në tekstin e propozuar.
Pritet që ligji të vihet në rend dite në seancën e sotme të 88-të.
Në shpjegimin e Ligjit të publikuar në ueb faqen e Kuvendit, thuhet se me Propozim- ligjin mbrohen vlerat demokratike dhe parimet e sigurisë juridike të qytetarëve në një shoqëri demokratike. Propozim -ligji për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për partitë politike përmban katër nene.
Partitë politike do të duhet t’i harmonizojnë emrat e tyre me këtë ligj në afat prej tre muajsh.
Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së ende nuk po prononcohet nëse do ta mbështesë këtë tekst ligjor.
Në këtë seancë plenare, deputetët do të diskutojnë edhe për propozimet për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shoqata dhe fondacione, me procedurë të shkurtuar.
Gjithashtu, në rend dite janë edhe Propozim vendimi për sistemimin e mjeteve midis shfrytëzuesve buxhetorë të pushtetit qendror dhe midis fondeve, Propozimi për ndryshimin e Vendimit për shkarkimin dhe emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit për ndarjen e çmimit shtetëror “22 Nëntori”, Propozimi i ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Këshillit të ministrave të Republikës së Shqipërisë për bashkëpunimin në fushën e diasporës, projektligji për ratifikimi i Marrëveshjes Kornizë për partneritet financiar midis Komisionit Evropian dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për procedurat e veçanta për zbatimin e ndihmës financiare në kuadër të Instrumentit për ndihmë parainkuadruese (IPA III).
Deputetët duhet të shqyrtojnë edhe propozimet për ndryshimin e ligjeve për marrjen dhe transplantimin e pjesëve të trupit të njeriut për qëllime trajtimi, për shëndetin publik, për sigurinë e produkteve kozmetike, për kimikatet, për materialin riprodhues nga llojet e pemëve pyjore.