Filantropi dhe biznesmeni i njohur shqiptar, Lazim Destani sot në Dubai ka takuar ambasadorët shqiptarë të akredituar në Emiratet e Bashkuara Arabe. Destani nëpërmjet Facebook ka bërë të ditur se në zyrat e kompanisë në Dubai ka pritur për vizitë Ambasadorin e Maqedonisë së Veriut Abdylkadër Memedi, Ambasadorin e Shqipërisë Ridi Kurtezi dhe Ambasadorin e Kosovës Xhabir Hamiti. Destani thekson se gjatë takimit kanë diskutuar edhe për tema me karakter ekonomik.
“Sot, në zyrat e kompanisë sonë në Dubai, pata nderin e kënaqësinë t’i pres për një vizitë miqësore Ambasadorët tanë të akredituar në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Ambasadorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut Abdylkadër Memedi, Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë Ridi Kurtezi dhe Ambasadorin e Republikës së Kosovës Xhabir Hamiti.
Krahas bisedave miqësore, gjatë këtij takimi zhvilluam diskutime edhe mbi tema me karakter ekonomik, pasi të shumta janë mundësitë për investime kapitale nga EBA në trojet tona, në Shqipëri, Kosovë e në Maqedoninë e Veriut.
Për vizitën e tyre kushtuar kompanisë sonë falënderoj Ambasadorët e nderuar, ndërsa i uroj për suksese gjithnjë në rritje në misionin e tyre diplomatik”, ka shkruar Lazim Destani në rrjetin social Facebook.