Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) ka konfirmuar kandidaturat e 7 kandidatëve për president për zgjedhjet e 24 prillit. Numrat e kandidatëve në listat zgjedhore nuk do të dihen deri më 28 mars, kur do të hedhet shorti i KSHZ-së.
Në zgjedhjet e shtatë presidenciale, Stevo Pendarovski, i mbështetur nga LSDM dhe koalicioni, do të kërkojë mandat të ri, ndërsa kundërshtarë të tij janë Gordana Siljanovska-Davkova, e mbështetur nga OBRM-PDUKM dhe koalicioni, Maksim Dimitrievski nga “ZNAM”, Biljana Vankovska Cvetkovska nga “E Majta”, Bujar Osmani nga BDI, Stevço Jakimovski nga “GROM” dhe Arben Taravari i mbështetur nga koalicioni opozitar shqiptar “VLEN”.
Fushata zgjedhore për zgjedhjet presidenciale të planifikuara për 24 prill të këtij viti fillon më 4 prill në ora 00:00 dhe do të zgjasë deri në orën 24:00 të datës 22 prill.
Shumica e partive politike tashmë kanë shpallur bartësit e listave për zgjedhjet parlamentare (8 maj), ndërsa disa prej tyre do t’i prezantojnë nominimet e tyre këtë fundjavë. Listat e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare duhet të dorëzohen në KSHZ jo më vonë se 2 prilli, pra 35 ditë para zgjedhjeve të 8 majit.
Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) dje hapi misionin e vëzhgimit në Maqedoninë e Veriut për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 24 prill dhe zgjedhjet parlamentare të planifikuara për 8 maj. Për herë të parë, OSBE/ODIHR në vend do të vëzhgojë dy lloje zgjedhjesh që do të zhvillohen në të njëjtën kohë, zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Për dy ciklet zgjedhore do të punësohen 320 vëzhgues, nga të cilët 20 afatgjatë dhe 300 afatshkurtër.