Vendi që po shet toka me çmimin e një kafeje

Shpesh ka pasur njoftime për shtëpi në shitje në Evropën Jugore e kryesisht në zona të braktisura në Itali që shiteshin për vetëm 1 euro. Mirëpo të blesh tokën me çmimin e një filxhani kafeje tashmë është e mundur edhe në një vend në Evropën Veriore.

Götene, në jugperëndim të Stokholmit, po shet parcela toke me çmime që fillojnë nga vetëm 1 krona, ose 9 cent amerikan, për metër katror. Këto toka mund të përdoren nga blerësit për të ndërtuar shtëpitë e tyre të ëndrrave për të jetuar, apo si një shtëpi pushimi.

Götene, një zonë rurale me 5000 banorë ndodhet në brigjet e liqenit Vänern, jo vetëm liqeni më i madh i Suedisë, por edhe më i madhi në Skandinavi dhe në të gjithë BE-në. Për alpinistët, Götene ka gjithashtu një mal të vogël afër Kinnekulle. Është gjithashtu shtëpia e dy vendeve të vlerësuara nga UNESCO: Gjeoparku Platåbergens dhe Arkipelagu i Liqenit Vänern dhe Biosfera e Malit Kinnekulle.

Megjithatë, pavarësisht këtyre pasurive, gjendja ekonomike, por mbi të gjitha largimi i banorëve nga zonat rurale i ka detyruar pronarët e tokave, por dhe autoritetet vendase të shesin toka për çmime qesharake.

Skema filloi muajin e kaluar me rreth 30 blerës të interesuar, tha Månsson, kryebashkiaku i vendit. Katër prej tyre blenë parcela me një kronë për metër katror. Sipërfaqja e parcelës varionte nga 700 deri 1200 metra katrorë.

Mirëpo për shkak të kërkesës së menjëhershme në rritje nga e gjithë bota, autoritetet e kanë ndërprerë procesin deri në fillim të gushtit, për të përcaktuar se si të vazhdohet. Kërkesa e vetme e momentit është që ndërtimi i shtëpisë të fillojë brenda dy viteve nga blerja e parcelës, si një formë kjo për të nxitur rritjen e popullsisë në vend.


Shtuar 28.06.2024 15:01

Tags: ,