Nga simptomat, tek masat që duhen marrë gjatë virozave të stinës, kreu i Urgjencës Kombëtare: Covid, ende në qarkullim

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, ka folur sot (13 Janar) për virozat e stinës, vaksinimin dhe simptomat që shfaqen nga prekja e gripit këtë vit.

Në një komunikim të drejtpërdrejtë për emisionin “Kjo Javë” në Neës24, Brataj u shpreh se kulmi i virozave pritet të arrijë në fund të muajit janar,

Më tej ai tha se urgjenca merr rreth 1800-2000 thirrje brenda 24-orëve.

“Ky është viti i dytë që po dominohet nga gripi. Jemi drejt kulmit të tij. Kështu ndodh edhe në vendet e tjera evropiane dhe perëndimore. Kulmi i virozave pritet të arrijë në fund të muajit janar. Nuk ka një rritje në krahasim me sezonin e kaluar. Nëse krahasojmë këtë vit me vitin 2021, kemi një rënie te rasteve. Në këtë muaj rritja është në proporcion të drejtë me gripin, të ftohtin. Janë rreth 1800-2000 thirrje në ditë. Janë rreth 340 vizita në ditë, një pjesë janë bërë edhe online. Alarm nuk besoj të ketë dhe nuk ka pse të ketë”, tha Brataj.

Ndër të tjera u ndal te vaksinimi kundër gripit ku tha se është i këshillueshëm për fëmijët, moshat e treta dhe atë persona që kanë imunitet të dobët.

“Vaksinimi është i këshillueshëm për fëmijët moshat e treta dhe ata me imunitete të dobët. Shifrat këtë vit janë më të këta edhe për shkak të vaksinave të covid-19. Covid qarkullon ende si virus, dhe nuk është se ka ikur ndonjëherë”, u shpreh ai.

Sa i përket simptomave që shfaqen dhe masave që duhen marrë në rast infektimi me grip, kreu i urgjencës kombëtare tha se duhet të rrimë në ambient të ajrosur, të ngrohta, dhe në ti drejtohemi spitalit në raste më të rënda.

“Dua të theksoj se nëse rishfaqen temperaturat, vështirësia në frymëmarrjeje, ose janë të përgjumur duhet drejtuar te mjeku. Në spital janë prezent të gjitha viruset, nëse ke një virus merr tre të tjerë. Tani ne duhet të rrimë në ambient të ajrosur, në ambient të ngrohta, pasi i ftohti është armik. Nëse kem i temperatura humbasim lëngje dhe ato duhen zëvendësuar. Nëse kemi të vjella duhet ti drejtoheni spitalit. Si medikamente kryesore janë, nëse ka temperatura duhet marrë paracetamol. Ibuprofeni ka efekt të trefishtë dhe ndaj duhet përdorur në ditët e para një anti-flamator”, tha kreu i urgjencës kombëtare.


Shtuar 13.01.2024 19:55