Pse vetëvrasjet rriten ndjeshëm gjatë javës së Hënës së plotë?

Për shekuj me radhë, njerëzit kanë dyshuar se Hëna e plotë në qiell, shkakton ndryshime misterioze në sjelljen e disa njerëzve. Tani psikiatrit në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Indianës, SHBA, kanë zbuluar një rritje të vdekjeve nga vetëvrasjet pikërisht gjatë kësaj faze të Hënës.

“Ne donim të analizonim hipotezën se vetëvrasjet rriten gjatë periudhës së Hënës së plotë,dhe të përcaktojmë nëse pacientët me rrezikshmëri të lartë duhet të ndiqen më nga afër gjatë këtyre periudhave”- tha Alekandër Nikulesku, profesor në këtë universitet dhe drejtues i studimit.

Nikulesku dhe ekipi i tij shqyrtuan të dhënat nga zyra e mjekësisë ligjore të Marion Countynë Indiana në lidhje me vetëvrasjet që ndodhën në vitet 2012-2016. Ata zbuluan se vdekjet nga vetëvrasjet u rritën ndjeshëm gjatë javës së Hënës së plotë, me rritjen më te lartë tek njerëzit mbi moshën 55 vjeç.

Po ashtu ata analizuan edhe kohën e ditës dhe muajt kur ndodhën vetëvrasjet, duke zbuluar se ora 3 mëngjesit deri në 16 të pasdites dhe muaji shtator, ishin kohët e pikut të vetëvrasjeve.Ekipi i publikoi gjetjet e tyre në “Discover Mental Health”.

“Nga një perspektivë klinike dhe e shëndetit publik, ne arritëm në disa përfundime të rëndësishme. Kështu, pacientët me rrezik më të lartë duhet të ndiqen më nga afër javën e Hënës së plotë, gjatë orëve të vona të pasdites, dhe ndoshta gjatë muajit shtator”-thotëNikulesku.

Profesori dhe ekipi i tij zhvilluan më herët teste të biomarkerëve të gjakut mbi gjendje të tjera të shëndetit mendor (ankth, depresion dhe çrregullim stresi post-traumatik) dhe për dhimbje të ndryshme. Duke përdorur mostrat e gjakut të marra më parë nga mjekësia ligjore nga disa prej viktimave, ekipi ishte në gjendje të shihte se cilët biomarkues ishin të pranishëm.

“Duke përdorur biomarkerët, ne zbuluam edhe se njerëzit me çrregullime të përdorimit të alkoolit apo me depresion, mund të jenë më të rrezikuar gjatë këtyre periudhave kohore”. Nikulesku shtoi se rritja e ndriçimit natën si pasojë e Hënës së plotë, mund të jetë ajo që çon në rritjen e vetëvrasjeve gjatë asaj periudhe. Sepse drita e ambientit luan një rol të madh në ritmin cirkadian të trupit të njeriut, që është cikli 24-orësh që ndjek trupi ynë për të rregulluar kur jemi në gjumë dhe kur jemi zgjuar.

Ndaj drita e Hënës mund të ndikojë tek njerëzit, në një kohë kur duhet të jetë më e errët. Sa i përket dy periudhave të tjera të pikut të vetëvrasjeve, Nikulesku tha se kulmi i vetëvrasjeve, në orën 3–4 pasdite mund të lidhet me stresorët gjatë gjithë ditës, si dhe një rënie të intensitetit të dritës që fillon të ndodhë në atë moment të ditsë, duke shkaktuar një aktivizim më të ulët të gjeneve të orës cirkadiane dhe kortizolit.

Ndërkohë në shtator, shumë njerëz përjetojnë fundin e pushimeve verore, të cilat mund të shkaktojnë stres, si dhe efekte të çrregullimeve emocionale sezonale, pasi drita e ditës zvogëlohet gjatë asaj periudhe të vitit. “Studimi ynë tregon se Hëna e plotë, stina e vjeshtës dhe pasditja e vonë, janë hapësira të përkohshme të rritjes së rrezikut për vetëvrasje, veçanërisht tek individët që vuajnë nga depresioni ose çrregullimet e përdorimit të alkoolit”-thotë Nikulesku.


Shtuar 29.04.2023 21:39