Ndryshimi mes deodorantit dhe antidjersës: A ka ndonjë lidhje me kancerin e gjirit?

Deodorantët dhe andidjersat punojnë në mënyra të ndryshme për të zvogëluar erën e trupit.

Deodorantët formulohen për të eleminuar erën e sqetullave, por jo djersitjen. Ata zakonisht përmbajnë alkool dhe kur aplikohen, e bëjnë lëkurën më acide duke mundësuar një mjedis më pak tërheqës për bakteret. Deodorantët përmbajnë parfum për të reduktuar erën.

Antidjersat kanë përbërës aktivë duke përfshirë edhe bazë alumini që bllokojnë përkohësisht poret e djersës. Bllokim i poreve zvogëlon sasinë e djersës që arrin në lëkurë.

Administrata Amerikane për Kontrollin e Ushqimit dhe Barnave (FDA) i konsideron deodorantët si produkte kozmetike – që pastrojnë dhe zbukurojnë; ndërsa antidjersat si ilaçe – që trajtojnë, parandalojnë një gjendje/sëmundje ose që ndikojnë në strukturën dhe funksionin e trupit.

Dy janë përfitimet kryesore të deodorantit dhe antidjersës: lagështia dhe aroma.

Djersa është një mekanizëm ftohës që na ndihmon të heqim nxehtësinë e tepërt. Sqetullat kanë një dendësi më të lartë të gjëndrave të djersës sesa zonat e tjera të trupit. Djersa në vetvete nuk ka erë të fortë. Janë bakteret në lëkurë që shkaktojnë aromën. Ngrohtësia e lagur e sqetullave është një mjedis ideal për bakteret.

Nëse dëshironi të zvogëloni lagështinë e sqetullës dhe djersën e tepërt, duhet të përdorni antidjersë. Nëse nuk djersitni tepër dhe thjesht dëshironi të nuhatni aromë të freskët dhe të kufizoni erën, duhet të përdorni deodorant.

Antidjersat dhe rreziku i kancerit të gjirit ?

Përbërësit me bazë alumini në antidjersë e mbajnë djersën që të mos dalë në sipërfaqen e lëkurës duke bllokuar gjëndrat. Ekziston një shqetësim që nëse lëkura thith këto përbërje alumini, ato mund të ndikojnë te receptorët e estrogjenit të qelizave të gjirit.

Sidoqoftë, sipas Shoqatës Amerikane të Kancerit, nuk ka ndonjë lidhje të qartë midis kancerit dhe aluminit nëpër andidjersa. Indet e kancerit të gjirit nuk duket se kanë më shumë alumin sesa indet normale.

Vetëm një sasi e vogël e aluminit absorbohet (0.0012%) bazuar në hulumtimet për antidjersat që përmbajnë klorhidrat alumini. Kërkime të tjera tregojnë se nuk ka asnjë lidhje midis kancerit të gjirit dhe produkteve për sqetullat

Megjithatë, studime të tjera gjithashtu rekomandojnë që pavarësisht se nuk ka të dhëna për një lidhje mes antidjersave dhe kancerit të gjirit, kërkime të mëtejshme janë të nevojshme për t’u kryer.


Shtuar 5.07.2021 12:09