Me pranverën vijnë edhe alergjitë, eksperti ndan këshillat parësore që duhet të keni parasysh

Me pranverën shtohen dhe alergjitë. Shumë njerëz preken gjatë kësaj periudhe për shkak të polenit të bimëve por dhe pluhurave dhe tymrave të ndryshëm. Ka njerëz që janë rezistent ndaj polenit por shumë të tjerë janë më të prekshëm. Disa nga simptomat e alergjisë janë teshtima, bllokimi i hundëve, kruajtja e lëkurës, dhimbja e kokës dhe dhimbjet e përgjithshme në trup.

Agronomi Zef Gjeta, në rubrikën “Mjekësia alternative” në Abc e mëngjesit, ndau disa këshilla të rëndësishme.

”Duhet të ruhemi dhe të mos dalim jashtë në situata kur ka shumë polen dhe erë sepse aktivizon polenin dhe ndot ajrin më tepër. Kush vuan në një shkallë më të madhe duhet të mbyllë dyert dhe dritaret dhe t’i hapin kur ajri është i qetë. Duhet pastruar shtëpia me fshesa korrenti apo me vakuum për të larguar pluhurat.

Duhet të kemi kujdes që të mos mbajnë lule në shtëpi por të mbajmë ata që nuk krijojnë alergji. Për shembull mëllaga, duhet testuar nëse shkakton alergji. Një tjetër element është dhe dieta. Nëse trupi ka më shumë ushqim sesa duhet, ka vështirësi në tretje dhe e bën më të prekshëm ndaj alergjisë.

Duhet të shtojmë çajrat në dietë pasi ndihmojnë trupin të funksionojë më mirë. Krahas tyre duhet të shtojmë dhe marrjen e perimeve si brokoli, lulelakra, domatja, limoni dhe qitro.”, tha ai.