Mjekja nutricioniste Albana Daka gjatë rubrikës “Abc-ja e shëndetit” u ndal te rëndësia e forcimit të sistemit imunitar gjatë muajve të ftohtë të vitit kur jemi më të predispozuar për t’u prekur nga virozat dhe Covid-19. Gjatë intervistës me moderatorin Alban Musa, mjekja tha se çelësi për një imunitet të fortë qëndron te regjimi ushqimor dhe stili i jetës.
“E mirëmbajmë me një gjumë të mirë 7-8 orë të ditës, duke menaxhuar stresin psiko-fizik, njerëzit e stresuar, duke evituar përdorimin e alkoolit, përdorimin e cigares dhe patjetër duke mbajtur një peshë trupore normale dhe duke e kombinuar këtë me një aktivitet fizik. Pesha trupore normale menaxhohet nga aktiviteti fizik dhe regjimi ushqimor.“, tha Daka.
Më tej, Dr. Albana u ndal te fëmijët. Ajo tha se një fëmijë që ka lindur në rrugë natyrale ka një sistem më të fortë sesa ata që kanë ardhur në jetë me cezarian. “Ajo që është kryesore është rëndësia e një mijë ditëve të para të jetës, deri kur fëmija është dy vjec. Duhet kujdes që kur është në formën e fetusit.
Ka rëndësi shumë menaxhimi i stilit të jetës së nënës, aq më shumë do të kemi një fëmijë të shëndetshëm. Në dy vitet e para të jetës ku regjimi dhe ushqyerja me gji, dhe të gjitha stili i jetës familjar bën që një mijë ditët të jenë shumë të rëndësishme për fëmijën. Pastaj e vazhdon marrjen e këtij sistemi nga qumështi i gjirit.”, theksoi Dr. Daka.