Çfarë ndodhi me ‘kryqin e vërtetë’ pasi u kryqëzua Jezusi?

Reliket përbënin gjithmonë një lajm të bujshëm në Evropën Mesjetare. Dëshira për të pasur një kockë nga eshtrat apo një copë veshje nga një shenjtor apo apostull, mund të çonte në Lindjen e Mesme pelegrinët nga vende shumë të largëta.

Për pasojë, kishat anembanë kontinentit evropian u përpoqën ta shfrytëzonin këtë mani, duke u paraqitur njerëzve relike që ata e dinin se ishin të rreme. Sigurisht, interesi më i madh ishe mbi reliket që kishin lidhje me Jezu Krishtin.

Zbulimi i kryqit të vërtetë

Thuhet se ishte Helena Augusta, nëna e perandorit romak Konstandin, ajo që e zbuloi Kryqin e Vërtetë në vendin e Varrit të Shenjtë, kodra në të cilën u kryqëzua Jezusi së bashku me kriminelët Gestas dhe Dismas. Sipas historianit të shekullit IV-të, Sokrat Dijetari, Helena urdhëroi shembjen e tempullit pagan që zinte vendin dhe gërmimet në kodër.

Supozohet se u zbuluan 3 kryqe, së bashku me gozhdët e përdorura për të gozhduar Krishtin në kryq por edhe tabelën prej druri me mbante fjalët “Jezusi, Mbreti Nazareas i Judenjve”, që ishte varur në kryq. Më pas kryqet iu dorëzuan me radhë një gruaje të sëmurë e cila u shërua pasi prekur njërin prej tyre. Prandaj Helena ishte e bindur se ai ishte Kryqi i Vërtetë.

I vërtetë apo i rreme?

Pjesa më e madhe e atij kryqit u dërgua në Kostandinopojë (sot Stambolli), dhe pas plaçkitjes së atij qyteti gjatë Kryqëzatës së Katërt në vitin 1204, u nda në shumë pjesë dhe u shpërnda në të gjithë Evropën. Në një moment kishte aq shumë kisha që pretendonin se kishin një pjesë të Kryqit të Vërtetë, saqë kjo e shtyu teologun Xhon Kalvin të thoshte se nëse do të mblidheshin të gjitha së bashku, do të ishte e mundur të ndërtohej një varkë.

Skepticizmi i Kalvinit shpjegohej me faktin se gjaku i Krishtit e shndërroi kryqin në një objekt të pathyeshëm, gjë që do të thotë se ai mund të ndahej në një numër të pafundëm pjesësh dhe megjithatë të mbetej sërish i plotë. Të etur për të mbajtur gjallë tregtinë fitimprurëse të relikteve dhe pelegrinët që vinin vazhdimisht, abacitë dhe kishat e tyre në të gjithë Evropën e përqafuan me gëzim këtë shpjegim.

Nderimi i Kryqit të Vërtetë

Shumë pjesë të Kryqit të Vërtetë ishin të mbështjella në një kuti prej metali të çmuar të stolisur me bizhuteri. Ato u vendosën në objekte të ndërtuara enkas që ruanin edhe relike të tjera të supozuara, si eshtrat e shenjtorëve, pjesë të gozhdëve të përdorura gjatë kryqëzimit të Krishtit, dhe madje edhe dhëmbët e qumështit të Jezu Krishtit. Ato u bënë një element qendror për adhuruesit dhe mbi to u krijuan disa ceremoni fetare nderimi, si Festa e Gjetjes së Kryqit, e cila festohej nga katolikët romakë derisa Papa Gjon XXIII e hoqi atë nga kalendari në vitin 1960.

Kryqi i vërtetë sot

Ndërsa shumica e pjesëve të supozuara të Kryqit të Vërtetë kanë humbur përgjatë shekujve të trazirave fetare dhe laike, sot ekzistojnë ende disa fragmente. Disa nga pjesët më të mëdha të mbijetuara, mund të gjenden në institucionet kryesore fetare të Evropës si Bazilika e Shën Pjetrit në Romë dhe Katedralja Notre-Dame në Paris. Ndërkohë thuhet se një fragment ndodhet në një vend shumë të çuditshëm.

1.Santa Croce, Itali

Tre pjesë të vogla të Kryqit të Vërtetë mbahen në Cappella delle Reliquie di Sante Croce në kishën e Jerusalemit në Romë, së bashku me dy gjemba nga Kurora me Gjemba, një pjesë e njërës nga gozhdët e përdorura gjatë kryqëzimit dhe një pjesë e Titulus Crucis, tabelës mbi kryq. Kjo kishë mbante dikur një fragment më të madh të kryqit, por ai u zhvendos në Bazilikën e Shën Pjetrit me urdhër të Papës Urbani VIII në vitin 1629.

2.Notre-Dame de Paris, Francë

I vendosur fillimisht në kishën e Sainte-Chapelle në Paris, ky fragment i Kryqit të Vërtetë u ble nga Mbreti Luigji IX nga Balduini II i Kostandinopojës në shekullin XIII-të. Gjatë Revolucionit Francez, ruajtja e relikteve ishte e ndaluar, përveç rasteve kur ato gjykoheshin se kishin merita të larta artistike. Pjesa e Kryqit të Vërtetë e mbajtur në Sainte-Chapelle iu dorëzua peshkopit të Parisit në vitin 1804. Ajo u vendos në thesarin e Katedrales Notre-Dame derisa u zhvendos në Luvër pas zjarrit që ra në katedrale në vitin 2019.

3.Shkolla e Madhe San Giovanni Evangelista, Itali

Kancelari i Mbretërisë së Jeruzalemit, Philip de Mezières, i dha kësaj shkolle që ndodhet në Venecia një pjesë të Kryqit të Vërtetë në vitin 1369. Për të u ndërtua një vend i veçantë dhe thuhet se shumë shpejt ndodhi një mrekulli. Gjatë një kortezhi, pjesa e kryqit ra aksidentalisht në një kanal. Por në vend se të fundosej, fragmenti mbeti pezull mbi ujë dhe më pas shmangu të gjitha përpjekjet për ta tërhequr atë derisa marrësi origjinal i saj, drejtuesi i shkollës, Andrea Vendramin, e shpëtoi atë.

4.Moskva, Deti i Zi

Shumë vende të tjera pretendojnë se kanë një pjesë të Kryqit të Vërtetë, duke përfshirë Abacinë e Shën Pjetrit në qytetin belg të Gentit dhe Manastirin Koutloumousiou në Greqi. Por një nga vendet më befasuese ku me sa duket mund të gjendet një pjesë e Kryqit të Vërtetë është në fund të Detit të Zi. Kryeprifti i Sevastopolit, pohoi se një pjesë e Kryqit të Vërtetë ishte vendosur në kapelën e kryqëzorit rus, Moskva. Anija u fundos në vitin 2022 gjatë Luftës Rusi-Ukrainë dhe thuhet se fragmenti i kryqit u rrëzua me të.


Shtuar 26.04.2023 22:32