Zyrtari amerikan: Pheniani t’i japë fund provokimeve

I dërguari amerikan për Korenë e Veriut i bëri edhe një herë thirrje Phenianit të dielën të angazhohet në bisedime për çarmartimin bërthamor të gadishullit korean.

Përfaqësuesi Special Sung Kim e quajti provën e fundit me raketa balistike të Koresë së Veriut shqetësuese, duke shtuar se ato kanë prodhuar efektin e kundërt ndaj paqes e qëndrueshmërisë së gadishullit.

Deri tani Pheniani i ka refuzuar kërkesat për t’u ulur në tryezën e bisedimeve dhe ka akuzuar Uashingtonin e Seulin se flasin për diplomaci ndërsa po përshkallëzojnë tensionet me aktivitete ushtarake.

Të enjten, zyrtarë të Koresë së Veriut thanë se Shtetet e Bashkuara po ekzagjerojnë me reagimet ndaj një prove me raketa balistike të nisur nga një nëndetëse, për të cilën tha se është për qëllimeve vetëmbrojtjeje.

Kjo provë është një nga disa të kryera nga Pheniani në javët e fundit, duke shkelur sanksionet e Kombeve të Bashkuara.

Përfaqësuesi Special amerikan Sung Kim përsëriti se Uashingtoni nuk ka asnjë qëllim armiqësor ndaj Koresë së Veriut.

I dërguari i Koresë së Jugut për Çështje Bërthamore Noh Kyu-duk tha se kishte biseduar me homologun e tij amerikan rreth një propozimi serioz të Seulit siç e quajti ai, për ta shpallur luftën koreane zyrtarisht të përfunduar.

Lufta koreane e viteve 1950-1953 përfundoi me një armëpushim dhe jo me një traktat paqeje.

Zyrtarët e Koresë së Jugut e shohin propozimin e tyre si një gjest të vullnetit të mirë për të nisur bisedimet./VOA


Shtuar 24.10.2021 17:33