Zyrtarët e lartë të PS-së në SPAK, Klosi: Nuk do të kenë asnjë mbrojtje politike

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka komentuar edhe paraqitjen e zyrtarëve të lartë socialistë në SPAK. I pyetur nga gazetarët se çfarë qëndrimi ka PS, ai u shpreh se nuk komentojnë vendimet që merr drejtësia.

Ndër të tjera, Klosi tha se “kush shkon në dyert e gjykatave do të gjykohet për ato çfarë faktet tregojnë në procesin gjyqësor dhe nuk do të ketë asnjë mbrojtje nga politika”.

Drejtësia e re -tha Klosi- është edhe realizimi i një premtimi elektoral, që Partia Socialiste erdhi në pushtet në 2013.

“Siç e kemi thënë ne nuk kemi komente për vendimet që do të marrë drejtësia, por jeni të qartë që kushdo që është kërkuar të japë informacione para drejtësisë nuk ka pasur pengese nga PS dhe nga kryeministri.

Besoj që është një realizim i një premtimi të fortë elektoral që ne morëm mandatin në 2013 për një drejtësi të pavarur. Kushdo që ka kërkesa nga organet e drejtësisë së re për të dhënë informacione do të duhet të japë

Kush shkon në dyert e gjykatave do të gjykohet për ato çfarë faktet tregojnë në procesin gjyqësor dhe nuk do të ketë asnjë mbrojtje nga politika për ata që kanë procese gjyqësore”, u shpreh Klosi.


Shtuar 10.05.2024 13:58