Zyrtare/ Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Turqi do të mbahen më 14 maj

Presidenti turk, Rexhep Tayip Erdogan, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare më 14 maj.

“Me autoritetin e dhënë nga Neni 116 i kushtetutës sonë, nënshkrova dekretin për mbajtjen e zgjedhjeve më 14 maj, të cilat ishin planifikuar të mbahen më 18 qershor të vitit 2023”.

“Kombi ynë do të shkojë në zgjedhje për të zgjedhur presidentin dhe deputetët më 14 maj”, tha Edrogan gjatë një fjalimi televiziv pasi nënshkroi vendimin, pak më shumë se një muaj pasi tërmetet lanë të vdekur pothuajse 50.000 persona në Turqi.

Erdogan tha se zgjedhjet do të mbahen më herët sesa 18 qershori, pasi kjo periudhë përkon me mbajtjen e testeve pranuese në universitete, pushimet e verës dhe pelegrinazhit të Haxhit.

Zgjedhjet do të jenë testi më i madh i Erdoganit në 20 vjetët e tij në pushtet dhe do të vendosin jo vetëm se kush do ta udhëheqë Turqinë, por edhe se si vendi do të qeveriset, në çfarë drejtimi do të shkojë ekonomia dhe çfarë roli mund të luajë ky shtet në përfundimin e konfliktit në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.


Shtuar 10.03.2023 14:28

Tags: ,