Zv. kryeministri Bislimi: Shtyrja e zgjedhjeve në veriun e Kosovës, nuk është opsion i mirë

Zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori i Kosovës për bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi thotë se shtyrja e zgjedhjeve për kryetarët e komunave veriore të banuara me shumicë serbe, nuk është një opsion i mirë.

Në intervistën për Zërin e Amerikës ai tha se shtyrja do të ishte në interes të atyre që mendojnë se veriu në këtë moment duhet të shndërrohet në një zonë të menaxhimit të krizave.

Zoti Bislimi tha ndër të tjera se Kosova dhe Serbia nuk po bien dakord mbi strukturën që duhet të ketë Komiteti i Përbashkët Monitorues për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, ngritja e të cilit, duhet të bëhet deri më 18 prill.

Sipas tij, Prishtina mendon se personat që udhëheqin grupin, duhet të jenë të ndryshëm nga kryenegociatorët, ndryshe nga qëndrimi i Beogradit. Ai tha se i emëruari i Kosovës për drejtimin e Komitetit është ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami.

Zëri i Amerikës: Zoti Bislimi, aktualisht në vendin tuaj, janë shtuar thirrjet për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve për kryetarët e komunave veriore të banuara me shumicë serbe. Cili eshte mendimi juaj, a ekziston mundësia që këto zgjedhje të mbahen në rrethanat aktuale kur përfaqësuesit e subjektit kryesor politik serb nuk do të marrin pjesë siç u bë e qartë sot edhe nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç? Cila është rrugëdalja nga kjo situatë?

Besnik Bislimi: Fillimisht, zgjedhjet janë themel i demokracisë dhe në një demokraci të mirëfilltë janë institucionet shtetërore që vendosin afatet për mbajtjen e tyre. Në këtë rast, në zgjedhjet në veri të Kosovës ka vullnet nga partitë politike që të jenë pjesëmarrës në zgjedhje, ky vullnet mungon vetëm nga një subjekt politik. Do të ishte gabim që vullneti politik i shumicës së subjekteve politike t’i nënshtrohet interesave joparimore të një subjekti të vetëm politik për të cilin ne besojmë se deklarimin për të mos marrë pjesë në zgjedhje e kanë jo për arsye të kalkulimeve momentale, por për shkak se duke qenë se kanë parë rënien e madhe të besimit tek qytetarët, ata duan ta kamuflojnë këtë përmes ikjes së mbajtjes së zgjedhjeve.

Zëri i Amerikës: Pra shtyrja nuk është një opsion?

Besnik Bislimi: Shtyrja nuk është opsion i mirë, është opsion i atyre që mendojnë që në këtë moment më mirë është që veriu të shndërrohet në një zonë të menaxhimit të krizave dhe jo të hyjë në një proces të normalizimit të raporteve. Për momentin protagonisti kryesor që kërkon shtyrjen e zgjedhjeve është zoti Vuçiç i cili edhe kërkon koncesione për pjesëmarrjen në zgjedhje. Është shumë gabim që edhe zëra nga politika në Kosovë i bashkohen kësaj narrative të zotit Vuçiç. Ajo që është me rëndësi të thuhet është që me deklarimet e tij të djeshme, zoti Vuçiç në disa instanca e ka shkelur dhe marrëveshjen bazike të datës 27 shkurt, mirëpo edhe aneks- mplementimin e datës 18 mars për arsye se deklaratat e tij qartazi tregojnë se ai nuk është i interesuar të ndërtojë raporte të fqinjësisë së mirë me Kosovën, është ende i interesuar të interferojë në punët e brendshme të Kosovës si dhe të pengojë normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Zëri i Amerikës: Pas marrëveshjes së Ohrit pritej që palët të ecin me shpejtësi përpara për zbatimin e saj. Sa mund ta ndërlikojë situatën çështja e zgjedhjeve?

Besnik Bislimi: Pas marrëveshjes së Ohrit ka qenë dakordimi që brenda një afati të shkurtër kohor të kemi një takim të kryenegociatorëve në Bruksel, takim ky që është mbajtur në 4 prill. Arritja e datës 4 prill ka qenë dakordimi për tekstin e dokumentit rreth personave të zhdukur me dhunë i cili do të aprovohet më pas nga liderët në takimin e tyre të radhës dhe kemi pasur diskutimet e para për rreth se si duhet të sekuencohet implementimi i pjesëve të marrëveshjes bazike. Duke qenë se në marrëveshjen bazike në dy raste kemi patur kërkesë për ugjencë ose hapa të menjëhershëm, ka qenë e kuptueshme që pjesa kryesore është fokusuar tek marrëveshja për personat e zhdukur me dhunë dhe po ashtu jemi dakorduar që shumë shpejt në Bruksel të kemi prezantimin e parë të draftit të grupit menaxhues për vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Jemi më pak se një javë larg afatit që palët të themelojnë një Komitet të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga Bashkimi Evropian për të vëzhguar zbatimin e marrëveshjes. A pritet te behet kjo brenda afatit?

Besnik Bislimi: Afati për caktimin e grupit të përbashkët monitorues është 18 prilli. Nuk ka harmoni të qendrimeve mes Kosovës dhe Serbisë sesi do të dukej struktura e këtij trupi të përbashkët monitorues. Pala kosovare mendon se do të ishte ideale që personat që e udhëheqin Kosovën dhe Serbinë në këtë grup monitorues të jenë të ndryshëm nga kryenegociatorët, në mënyrë që të menjanohen konfliktet e interesit. Përfaqësuesi serb mendon se ai duhet të jetë kryenegociator edhe përfaqësues i Serbisë në grupin për mbikëqyrje të zbatimit të marrëveshjes.

Ne kemi dërguar (emrin) e të emëruarit tonë për këtë pozicion dhe presim që para takimit të radhës të krerëve të qeverisë, Bashkimi Evropian të vendosë strukturën menaxhuese të grupit të përbashkët monitorues. Kjo do të thotë se pala kosovare ka dërguar emrin e përfaqësuesit të vet.

Zëri i Amerikës: Do ta bëni emrin publik ?

Besnik Bislimi: Po, ne kemi emëruar ambasadorin tonë në Bruksel, zotin Agron Bajrami, i cili është i mirëinformuar, është i përfshirë dhe i ka kapacitetet që ta përfaqësojë Kosovën me dinjitet në këtë grup të monitorimit të përbashkët.

Zëri i Amerikës: Zoti Bislimi, Bashkimi Evropian tha pas marrëveshjes së Ohrit se Kosova duhet të fillojë menjëherë negociatat për një marrëveshje specifike dhe garanci për të siguruar një shkallë të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë. Kjo nënkupton themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. A i keni filluar ju këto përpjekje?

Besnik Bislimi: Fillimisht, kjo nuk nënkupton themelimin e asociacionit me shumicë serbe, për arsye se ende nuk dihet se si do të duket struktura e vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë. Ne tani e zbatojmë marrëveshjen bazike dhe aneksin implementues. Nuk zbatojmë qendrime të politikanëve në Bruksel apo gjetkë, jashtë Kosovës. Marrëveshja bazike si dhe aneksi implementues kërkojnë që të dy palët të marrin obligime dhe zbatimi të ndjekë hapa sipas radhës, që nënkupton se njëra palë nuk mund të marrë përfitimet e marrëveshjes dhe pastaj të vendosë në ç’masë dëshiron të kryejë pjesën e vet të obligimeve.

Kjo nënkupton që edhe në qoftë se fillojnë bisedimet për strukturën menaxhuese apo të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë, përderisa nuk ka gatishmëri nga pala serbe që ajo t’i zbatojë obligimet e marra, ky proces nuk mund të përfundojë me sukses. Për arsye se do të jetë e pamundur që pala kosovare ta realizojë pjesën e vet të obligimeve për aq kohë sa zoti Vuçiç deklaron publikisht se ai nuk e sheh marrëveshjen në tërësi si të detyrueshme, por e shej si një lloj liste ku ai mund të zgjedhë se cilat pjesë dëshiron që t’i zbatojë dhe cilat jo.

Zëri i Amerikës: Zoti Bislimi a ka filluar puna e grupit menaxhues për hartimin e statutit të asociacionit dhe shkurtimisht çfarë pritet të përmbajë ai statut?

Besnik Bislimi: Grupi menaxhues ekziston që nga viti 2013. Deri tani ka patur dy herë ndryshime në përbërjen e grupit menaxhues. Grupi menaxhues është dashur që në baza të rregullta të raportojë tek Ministria e Pushtetit Lokal, por raportet e fundit janë dërguar në vitin 2018. Rrjedhimisht ne nuk mund ta dimë se në çfarë stadi ndodhet puna e grupit menaxhues, por ata do të ftohen pas takimit të radhës në Bruksel për të prezantuar punën e tyre dhe pas prezantimit pushon veprimtaria e tyre, domethënë nuk ekziston më grup menaxhimi pas propozimit të draftit dhe pastaj gjithçka kalon në rrafshin politik.

Është shumë e rëndësishme që drafti që do të prezantohet nga ai grup do të vlerësohet në bazë të disa kritereve që sigurojnë, që përshembull drafti i propozuar nuk bie në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Nuk bie në kundërshtim me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Nuk nënkupton krijimin e një shtrese të re të qeverisjes në Kosovë, nuk nënkupton të drejta kolektive për komunitetin serb. Është në harmoni me letrën që zonja Mogherini i ka dërguar Kryeministrit të Kosovës në vitin 2015, ku shprehet qartë, edhe për Bashkimin Evropian, se ky lloj trupi i vetëmenaxhimit nuk duhet të ketë asnjë kompetencë ekzekutive. Për aq kohë sa drafti i prezantuar bie në kundërshtim me këto pesë kritere, me shumë gjasa ai duhet të shpallet si i papranueshëm dhe pastaj duhet të shohim për alternativa që mund të prezantohen qoftë nga pala kosovare, qoftë nga dikush tjetër./voa/


Shtuar 13.04.2023 22:39