Gadishulli i Karaburunit është përfshirë dje nga flakët. Nga zjarri është ngritur alarmi se rrezikon të digjet edhe Parku Kombëtar i Llogarasë dhe është kërkuar ndihmë nga ushtria.
Mëngjesin e sotëm, përmes një postimi në Facebook, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi shkruan se trupat ushtarake janë përfshirë në operacionet për shuarjen e zjarreve në Karaburun dhe Kreshpan të Fierit.
“Që prej orëve të para të ditës trupat e batalionit të Poshnjes dhe detarët e Pashalimanit janë angazhuar për fikjen e zjarrit në zonën e Karaburunit, duke sfiduar terrenin dhe temperaturat ekstreme.
Gjithashtu, trupat e batalionit të III të këmbësorisë prej disa ditësh i janë bashkuar përpjekjeve të strukturave lokale për shuarjen e zjarrit në pyllin e Kreshpanit në Cakran të Fierit. #tegatshem24/7”, shkruan Peleshi. /albeu.com