U desh që familjarët e djalit nga Fieri të zhdukur në Sarandë të vinin në Komisariatin e Sarandës dhe të kërkonin nisjen e kërkimeve për gjetjen e tij, që Policia lokale dhe ajo Shtetit të merrnin masa për të hyrë në operacione kërkimi.
Dhe në fakt pa u mbushur 24 orë u dha një shkëndijë, pasi besohet se është lokalizuar zona në të cilën dyshohet se mund të jenë fshehur trupat e dy 46- vjeçarëve si dhe është gjetur një automjet, që është pikasur si i dyshimtë me datën 6 prill në vendin ku edhe janë zhdukur Thodhori dhe Sulovari. Kështu, meqë policia dhe ekspertët e hetimit kanë nisur të grumbullojnë fakte e prova, është kërkuar shoqërimi i një sërë personash me të shkuar kriminale, kontingjent dhe të dyshuar të cilët mendohet se kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes. Po ashtu janë riparë dosjet e dy ekzekutimeve brutale në Tiranë të Aleksandër Sadikajt dhe të Edmond Papës, për të shkuar deri në Athinë, atje ku dy vjet më parë dyshohet se ka nisur edhe përplasja mes grupeve që tashmë mund të lokalizohen me qytetin e tyre, Sarandën.
KËRKIMI
Leonard Thodhori, i njohur si “Koçole” dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, rezultojnë të zhdukur prej 18 ditësh dhe ende nuk ka asnjë gjurmë prej tyre. Sipas burimeve bëhet me dije se policia dyshon se ata janë ekzekutuar dhe më pas groposur në fshatin Vrinë të Bashkisë Konispol. Prej orëve të mëngjesit të djeshëm, rreth 50 familjarë të Fatmir Sulovarit, 46 vjeç, kanë shkuar në zonë për të bërë kërkime, ndërsa më vonë iu është bashkuar edhe Policia. Po hetohen disa pista për këtë ngjarje, motivi kryesor mendohet të jetë shit-blerja e një toke, por nuk përjashtohet as pista për të kaluarën e tyre, pasi të dy janë persona me precedentë për çështje narkotikësh. Burimet policore tregohen shumë të rezervuara në dhënien e informacioneve, megjithatë është mësuar se personat e shoqëruar prej 48 orësh janë me precedentë penalë, disa madje edhe të arrestuar dy vitet e fundit nga policia e Sarandës për vepra të rënda por të liruar më pas nga Gjykata e këtij qyteti. Ende nuk ka informacion nëse ndaj tyre ka ndonjë masë arresti.
TË DYSHUARIT
Autorët e dyshuar janë kujdesur të fshehin provat mirë, pasi një prej 8 automjeteve të sekuestruara për verifikim, rezulton që ka pasur disqet e gomave të lyera për kamuflim. Mungesa e provave konkrete, por kryesisht e trupave, mendohet se është arsyeja pse policia nuk po e konkludon operacionin me arreste. Megjithatë, para Komisariatit të Sarandës është vënë re në orët e para të mëngjesit një sasi e konsiderueshme efektivësh e automjetesh, ndoshta për te rinisur operacionin qe prej disa ditësh po zhvillohet në bashkëpunim me Forcat Operacionale të Vlorës. Ndërkohë në një magazinë në afërsi te fshatit Nivicë të Bashkisë, Himarë është gjetur i fshehur një automjet tip “Mercedes-Benz” që mendohet se është mjeti me të cilin janë rrëmbyer Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari. Paraprakisht mendohet se dy të zhdukurit i kanë njohur rrëmbyesit, pasi në disa pamje filmike të lëvizjes së mjetit te tyre, dallohet Fatmir Sulovari teksa ndodhet i ulur në sediljen e parë duke mbajtur dorën në tavan. Nga pamjet filmike është e vështirë te dallohet shoferi dhe pasagjerët pas, por dihet që targat e mjetit janë greke të vjedhura në Lezhë.
HETIMET
Zhdukja e dy 46- vjeçarëve në Sarandë, po surprizon Policinë për shkak të emrave dhe fakteve që dalin në dosjen hetimore. Kështu përveç zhdukjes së “Koçoles” dhe Sulovarit apo Krasniqit, në skenë ka dalë dhe një shpërthim eksplozivi në një banesë në 5 dhjetor 2022 në Sarandë, çështje ende e pazbardhur. Ngjarjet nuk kanë lidhje me njëra tjetrën, por policia është detyruar të shfletojë dosjen e disa muajve më parë për shkak se mjeti i përdorur në të dyja ngjarjet dyshohet se është i njëjtë dhe mund të ndodhemi para të njëjtëve autorë. Përveç kësaj, ndër personat e shoqëruar apo që kërkohen për t’u shoqëruar për t’u marrë në pyetje, rezultojnë persona me precedentë penalë brenda dhe jashtë vendit për çështje droge.
Ndër këta persona, ka edhe miq të biznesmenit Edmond Papa, i ekzekutuar në 16 dhjetor 2022 në Tiranë. Disa prej tyre rezultojnë si të marrë në pyetje apo të përmendur edhe në dosjen e vrasjes së 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj më 11 qershor në zonën e Saukut në Tiranë. Edhe këto dy ngjarje nuk lidhen me zhdukjen e Leonard Thodhorit dhe Fatmir Sulovarit, pasi pista kryesore lidhur me zhdukjen apo vrasjen e tyre është ajo lidhur me shit-blerjen e një toke në fshatin Çukë e cila ishte në pronësi të Leonard Thodhorit.
Duket se policia ndodhet para një serie ngjarjesh që nuk kanë lidhje me njëratjetrën, por që rrotullohen rreth të njëjtave personazhe.
KUSH JANË TË ZHDUKURIT?
Leonard Theodhori, 46 vjeç i njohur si “Koçole”. I dënuar disa here. I dyshuar si pjesëmarrës në masakrën e Qafë-Gjashtës në vitin 1997 ku u vra oficeri i policisë Gjergj Mehmeti. Në vitin 2003 ka qenë prezent ne automjetin që drejtohej nga Andrea Gjini para se ky i fundit të vriste biznesmenin Jaho Bajo. I arrestuar po atë vit për “moskallëzim krimi” lidhur me një ngjarje tjetër të kryer nga Gjini. I arrestuar më pas për “vjedhje” e “mashtrim”. Përdorues i lëndëve narkotike dhe i dyshuar si i perfshirë në trafik lëndësh narkotike.
Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, 46 vjeç. I dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosja e lehtë me dashje”. I arrestuar ne prill 2022 ne Lushnje, pasi ne mjetin e tij “BMW” X5 u gjet një sasi kanabis sativa e ndarë në doza gati për shitje.