Një vilë në Krekëz të fshatit Nivicë, Bashkia Himarë, rezulton të jetë një ndër pikat kryesore ku janë fokusuar hetimet e policisë dhe prokurorisë lidhur me zhdukjen e dy 46-vjeçarëve Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari.
Pikërisht në këtë vilë është gjetur i fshehur edhe automjeti tip “Mercedes-Benz” me të cilin dyshohet se janë rrëmbyer dy të zhdukurit.
“BalkanWeb” zbulon se kjo vilë ishte dhënë me qira me ndërmjetësimin e 28-vjeçarit Sofokli Baxheri, punonjës i një agjencie imobilare, i arrestuari i vetëm deri tani, të cilin Prokuroria e Sarandës e akuzon për “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.
Kjo vilë, në pronësi të një emigranti me banim në Greqi, i është dhënë me qira pikërisht personave të dyshuar për rrëmbimin e “Koçoles” dhe Sulovarit. Me pronarin ka ndërmjetësuar përmes telefonit Sofokli Baxheri dhe palët janë dakordësuar për çmimin 500 euro/muaj.
Sapo kanë marrë vilën, sipas informacioneve të policisë, banorët e rinj janë kujdesur të vendosin një rrjetë para portës me qëllim që askush mos të shihte se çfarë ndodhtë brenda rrethimit të saj, ndërkohë që sipas dëshmive, nga ajo banesë hynin e dilnin mjete të ndryshme si fuoristradë “Mercedes-Benz”, “G Class” ngjyrë e zezë, furgon tip “Ford” ngjyrë e bardhë, fuoristradë “Peugeot” ngjyrë e kuqe si dhe autovetura “Mercedes-Benz” me të cilën dyshohet se kanë ndodhur dy krime, vendosja e eksplozivit tek banesa e Lefter Lefterit dhe rrëmbimi e zhdukja e Leonard Thodhorit e Fatmir Sulovarit./bw