Zgjedhjet në Himarë/ Në QV Borsh presion nga socialistët për të nxjerrë jashtë listat e votuesve, ndalohen nga sekretari i opozitës

Presionet ndaj komisionerëve në qendrat e votimit në Himarë nga socialistët janë rritur shumë, teksa Partia Socialiste ka marrë njerëzit e saj dhe kërkojnë me ngulm listat e personave që kanë votuar deri më tani.

Denoncimet janë shtuar për komisionerët socialistë në QV, ndërsa ata nuk janë lejuar që të nxjerrin listat jashtë nga ana e sekretarëve të opozitës në komisione.

Raportimet për presion nga ana e socialistëve janë bërë në QV Borsh, nga ku pala e mazhorancës në qendrat e votimit kanë bërë kërkesë për të nxjerrë listat jashtë QV.

Kërkesa ka ardhur nga njëri prej anëtarëve të PS në komision, për të konfirmuar se kush ka votuar e kush ende jo.

Përmes kësaj lëvizje të komisionerëve socialistë shihet qartë tentative e PS, për të ndikuar mbi zgjedhësit në Himarë dhe për tjetërsimin e votës.

Ashtu sikurse loja e pisët e patronazxhistëve të Ramës, për të fituar në tavolinë rezultatin zgjedhor në favor të kandidatit të tyre socialist, Vangjel Tavo.

Kërkesa është kundërshtuar menjëherë nga sekretari i QV, pjesë e opozitës në komision, ndërsa kjo ka tensionuar jo pak gjendjen në QV Borsh.

Aktualisht, situata është qetësuar në një kohë kur pjesëtarët e opozitës përballen me presionin e socialistëve, për të ndërhyrë në procesin zgjedhor për kryetar bashkie në Himarë.


Shtuar 4.08.2024 12:11